31 Tetor 2018

Institucioni I Avokatit Te Popullit Nxjerr Rekomandim Per Respektimin E Te Drejtave Ligjore Te Punonjesve Te Policise Se Burgjeve


INSTITUCIONI I AVOKATIT TE POPULLIT NXJERR REKOMANDIM PER RESPEKTIMIN E TE DREJTAVE LIGJORE TE PUNONJESVE TE POLICISE SE BURGJEVE

Në institucionin e Avokatit të Popullit në datën 04.04.2018 ka bërë ankesë një grup i punonjësve të Policisë së Burgjeve, efektivë të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi” Tiranë. Ata ngrenë disa shqetësime që lidhen me mos respektimin e të drejtave të tyre ligjore sikurse janë:
1. Vjetërsia në punë nuk u paguhet sikurse parashikohet në pikën 5 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 201, datë 15.03.2017, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Burgjeve”. Sipas tyre, një punonjës policie që ka 20-25 vite pune paguhet njëlloj me një punonjës policie që ka 8-9 vite punë. Ndërsa në IEVP-të Vaqarr, Durrës, etj., vjetërsia në punë paguhet e plotë sipas viteve të punës për çdo punonjës.
2. Për punën e bërë në ditët e shtuna, të diela dhe në ditët e festave zyrtare paguhen në minimum 20% shtesë dhe për punën e natës 25%, ndërkohë që sipas Kodit të Punës pagesa shtesë për punën e kryer në ditët e pushimit javor dhe në turnin e tretë duhet të jetë 25% + 50% =75%.
3. Ditët e shtuna dhe të diela punonjësit e grupit të informacionit dhe të sigurisë planizohen me shërbin 12 orë dhe ndërkohë paguhen për 8 orë. Sipas tyre, sektori i financës këtë trajtim e justifikon me një urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve nr. 1922, datë 01.03.2017 “Për disa çështje të pagave në sistemin e burgjeve”, i cili bie ndesh me Kodin e Punës.
4. Mosdhënia e uniformës sipas akteve normative në fuqi që nga viti 2008 dhe për këto arsye ata janë të detyruar që ta blejnë atë duke cënuar të ardhurat e tyre nga paga.
5. Mostrajtimi i barabartë ekonomiko-financiar me punonjësit e Policisë së Shtetit sikurse parashikohet në neni 3, pika 4, e ligjit nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, i ndryshuar, ku parashikohet se: “Policia e Burgjeve është strukturë e depolitizuar, punonjësit e saj janë pjesë e administratës publike dhe gëzojnë të gjitha të drejtat për trajtim ekonomik - financiar, si Policia e Shtetit."
Ankuesit pretendojnë se për këto shqetësime, në vijimësi i janë drejtuar drejtuesve të IEVP “Ali Demi”, si dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, por problemet nuk u janë zgjidhur.
Nisur nga ky rast dëshirojmë që t’ju sjellim në vëmendje se, në veprimtarinë e institucionit të Avokatit të Popullit, punonjësit e Policisë së Burgjeve nuk kanë qenë vetëm objekt i punës së këtij institucioni, por edhe subjekte që gëzojnë të drejtën ligjore t’i drejtohen atij. Ankesat e punonjësve të administratës publike, duke përfshirë edhe ata të Policisë së Burgjeve, janë vlerësuar dhe do të vlerësohen me prioritet e përkushtim nga ana jonë. Ne gjykojmë se, përmbushja e detyrimeve të shtetit në cilësinë e punëdhënësit për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtës kushtetuese të mbrojtjes shoqërore në punë, të garantuar nga neni 49 i Kushtetutës dhe i të drejtave ligjore të punonjësve të Policisë së Burgjeve të garantuara nga ligji organik dhe aktet nënligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punës të kësaj strukture do të sjellë me siguri motivimin dhe përkushtimin e tyre në kryerjen e misionit ligjor të Policisë së Burgjeve, të përcaktuar në nenin 3/1 të ligjit nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, i ndryshuar, për garantimin e rendit dhe sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, në përputhje me ligjin, duke respektuar të drejtat dhe liritë e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Problematikat që prekin punonjësit e Policisë së Burgjeve, janë trajtuar edhe më parë nga institucioni i Avokatit të Popullit. Për respektimin e të drejtave ligjore të tyre janë bërë disa rekomandime drejtuar institucioneve shtetërore. Më konkretisht: Rekomandimi i regjistruar me nr. dok. 201402346/4, datë 27.02.2015, drejtuar Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve; Rekomandimi i regjistruar me nr. dok. 201402346/15, datë 04.11.2015, drejtuar Kryeministrit; Rekomandimi i regjistruar me nr. dok. 201700358/2, datë 27.03.2017, drejtuar Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave. Me keqardhje duhet të pranojmë se pjesa më e madhe e këtyre rekomandimeve nuk janë zbatuar.

Në vijim të ndjekjes së kësaj ankese, nga ana jonë i kërkuam shpjegime Drejtorisë së IEVP “Ali Demi” Tiranë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të gjitha shqetësimet dhe pretendimet e ngritura nga ankuesit të cilat janë parashtruar më sipër.

Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi” Tiranë me shkresën nr. 797 prot., datë 03.05.2018 dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me shkresat nr. 5727/1 prot., datë 25.06.2018 dhe nr. 6912 prot., datë 05.07.2018, ndërmjet të tjerave na informuan se:
1. Vjetërsia në punë paguhet duke u bazuar në pikën 4 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 201, datë 15.03.2017 “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të policisë së burgjeve”, e cila parashikon se: “Punonjës i Policisë së Burgjeve me grada, për kohën e qëndrimit në gradë, përfiton shtesë për vjetërsi në punë në masën 1% pas çdo viti pune. Masa e shtesës për vjetërsi në punë të jetë deri në nivelin e pagës bazë të gradës pasardhëse. Përllogaritja e shtesës për vjetërsi në punë të fillojë në çastin e marrjes së gradës së re, sipas ligjit nr. 10032, datë 111.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”. Është konstatuar si problem interpretimi i pikave 4 dhe 5 të kësaj VKM-je, i cili është diskutuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke kërkuar interpretim nga institucionet përkatëse, si Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Departamenti i Administratës Publike me shkresën nr 2001/1, datë 11.04.2017, por përgjigjia ende nuk ka ardhur.
2. Puna e kryer në ditët e shtuna, të diela dhe në ditët e festave zyrtare paguhet me pagesë shtesë mbi pagë sipas nenit 87 të Kodit të Punës, të ndryshuar. Puna e kryer në ditët e shtuna, të diela dhe në ditët e festave paguhet me një shtesë mbi pagë prej 25%, ajo e kryer në turnet e dyta paguhet me një shtesë mbi pagë prej 20% dhe ajo e kryer në turnin e tretë paguhet me një shtesë mbi pagë prej 50%. Për punonjësit e policisë që shërbejë në turnin e dytë dhe të tretë, në ditët e festave zyrtare dhe ditët e pushimit javor, brenda kohës normale të punës, përfitimet me shtesë mbi pagë në % për orët e punës për shërbimin e kryer janë përllogaritur me shtesë 20% + 25% = 45% mbi pagë dhe 50% + 25% = 75% mbi pagë.
3. Për sa i përket shërbimeve me planizim 12 orësh, për punonjësit e informacionit dhe të sigurisë, bazuar në Kodin e Punës ku kohëzgjatja ditore normale e punës është jo më shumë se 8 orë, për 8 orë janë paguar, ndërsa për 4 orë janë trajtuar me pushime të menjëhershme. Këto orë nuk mund të konsiderohen orë shtesë përderisa nuk kalohen 176 orë punë mujore. Kjo është bërë në zbatim të Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve nr. 1922 prot., datë 01.03.2017 “Mbi disa çështje të pagave në sistemin e burgjeve”, pika 9 e cila parashikon se: “Në të gjitha rastet e kryerjes së pagesave sipas përcaktimeve të mësipërme, të mbahet parasysh respektimi i fondeve në dispozicion për pagat e punonjësve, pa kërkuar fond shtesë buxhetor”.
4. Lidhur me shqetësimin ngritur për pagesën e gatishmërisë, ajo paguhet sipas VKM nr. 463, datë 16.06.2011 bazuar në dokumentacionin “Urdhër për kalimin në gatishmëri të përforcuar” nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, urdhrat e brendshëm, grafikët e gatishmërisë dhe listë-prezencat përkatëse të cilat përpilohen nga sektori i policisë. Pagesa e gatishmërisë kryhet pas një periudhe dy mujore sipas akteve të cituara më sipër, nëse punonjësi nuk trajtohet me ditë pushimi gjatë kësaj kohe sipas preferencës.
5. Shqetësimi për mos marrjen e uniformës që nga viti 2008 qëndron dhe për zgjidhjen e tij këtë vit janë siguruar fonde nga buxheti i shtetit, por tenderi për blerjen e uniformave nuk është kryer ende nga institucioni përkatës.
6. Mostrajtimi i barabartë ekonomiko-financiar i punonjëve të Policisë së Burgjeve me punonjësit e Policisë së Shtetit, sikurse parashikohet në neni 3, pika 4, e ligjit nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, i ndryshuar, qëndron dhe është shqetësim edhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Mirëpo për këtë problem nuk informohemi se çfarë veprimesh konkrete janë bërë dhe çfarë masash janë marrë për zgjidhjen e tij.
Përveç sa më sipër, institucioni i Avokatit të Popullit gjatë verifikime të bëra në dokumentacion në IEVP “Ali Demi” Tiranë dhe gjatë takimeve me disa punonjës të Policisë së Burgjeve dhe të sektorit të financës të këtij institucioni dhe të disa IEVP-ve të tjera në vend, duke përfshirë edhe drejtues të saj, konstatoi se punonjësit e informacionit dhe të sigurisë të planizuar me shërbim 12 orësh në ditët e shtuna dhe të diela, për 8 orë janë paguar me shtesë mbi pagë, ndërsa për 4 orët shtesë nuk janë trajtuar me shtesë mbi pagë dhe as me pushim të menjëhershëm. Sipas drejtuesve të policisë, pushimi për kohën shtesë të punës prej 4 orësh nuk jepej për arsye të organikës së limituar të punonjësve të policisë dhe pamundësisë për të plotësuar të gjitha vendet e shërbimit.
Gjatë takimeve, punonjësit e Policisë së Burgjeve ngritën edhe disa shqetësime të tjera lidhur me mos garantimin me ligj të disa drejtave si: mos parashikimi i mbrojtjes së veçantë ndaj atyre të cilëve iu kërcënohet jeta, familja dhe prona për shkak të detyrës; mos dhënia e kredive të buta për strehim; mos dhënia e pagesave për bashkëshortet/ët në rastet e transferimeve jashtë vendbanimeve të tyre, etj., sikurse i përfitojnë punonjësit e Policisë së Shtetit. Sipas tyre, për shkak të mbipopullimit në IEVP-të , janë rritur vështirësitë e shërbimit dhe kjo kërkon më shumë energji dhe vëmëndje, si dhe rrit nivelin e stresit në punë. Për të përballuar këtë situatë dhe për të kryer me korrektesë detyrën e ngarkuar me ligj, disa nga drejtuesit e Policisë së Burgjeve në IEVP kërkuan rishikimin dhe ndryshimin e strukturës organike të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve duke rritur numrin e punonjësve të Policisë së Burgjeve si pjesë organike e saj. Gjithashtu u kërkua ndërhyrje për zgjidhjen e problemit të transportit nga vendbanimi në qendrat e punës dhe anasjelltas në ato qytete ku mungojnë linjat dhe mjetet e transportit publik. Sipas tyre, ky problem bëhet shumë shqetësues në orët e natës, sidomos për ata punonjës që lenë turnin e dytë dhe ata që marrin turnin e tretë.
Nga shqyrtimi i ankesave të përshkruara më sipër arritëm në përfundimin se, shumica e problemeve dhe e shqetësimeve të ngritura nga punonjësit e Policisë së Burgjeve janë të drejta, aktuale e duhet të jepen zgjidhje.
1. Qëndrimet e ndryshme të mbajtuara në IEVP-të lidhur me masën e shtesës së vjetërsisë mbi pagën bazë janë rezultat i konfuzionit të pikave 4 dhe 5 të VKM nr. 201, datë 15.03.2017 “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Burgjeve”. Në pikën 4 të kësaj VKM-je parashikohet se: “Punonjësi i Policisë së Burgjeve me grada, për kohën e qëndrimit në gradë, përfiton shtesë për vjetërsi në punë, në masën 1 për qind, pas çdo viti pune. Masa e shtesës për vjetërsi në punë të jetë deri në nivelin e pagës bazë të gradës pasardhëse. Përllogaritja e shtesës për vjetërsi në punë të fillojë në çastin e marrjes së gradës së re, sipas ligjit nr. 10032, datë 11.12.2008, "Për Policinë e Burgjeve". Ndërsa në pikën 5 të tij parashikohet se: “Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite pune do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës së çdo punonjësi në strukturat e Policisë së Burgjeve, si dhe në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardën e Republikës, Forcat e Armatosura dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, sipas ekuivalentimit në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.
Referuar pikës 4, rezulton se masa e shtesës për vjetërsi në punë kufizohet deri në nivelin e pagës bazë të gradës pasardhëse, që sipas specialistëve të DPBurgjeve pagesa e vjetërsisë në punë shkon deri në 9% të pagës për gradën që mban punonjësi i policisë. Ndërkohë përfitimi i kësaj shtese kushtëzohet me çastin e marrjen e gradës së re. Kjo do të thotë se, punonjësit e policisë që kanë marrë gradat para se të hynte në fuqi kjo VKM, për të fituar të drejtën e shtesës për vjetërsi në punë, duhet të presin disa vjet kur të plotësojnë afatin dhe marrin gradat e reja. Gjithashtu sipas kësaj pike konstatohet se nuk paguhet vjetërsia e punonjësve me gradë për të gjithë karrierën ushtarake, si të atyre që janë në sistemin e burgjeve që para miratimit të ligjit nr. 10032, datë 11.12.2008, "Për Policinë e Burgjeve", ashtu edhe e punonjësve të emëruar pas hyrjes në fuqi të këtij ligji për qëndrimin në gradë të dokumentatuara në librezën e punës së çdo punonjësi në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Forcave të Armatosura, etj, sipas ekuivalentimit në VKM-në përkatëse, sikurse parashikohet në pikën 5 të kësaj VKM-je.
Sikurse konstatohet qartë ka një konfuzion dhe kundërshti në përmbajtjet e këtyre dy pikave. Ne gjykojmë se ky problem nuk mund të zgjidhet me interpretim nga Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Departamenti i Administratës Publike, sikurse ka kërkuar DPBurgjeve dhe për të cilin nuk ka ende ndonjë reagim, por me ndryshimin dhe përmirësimin e përmbajtjes së tyre, pra të vetë VKM-së në fjalë. Ndërkohë sqarojmë se paqartësia në formulim e një akti normativ shkon në favor dhe jo në disfavor të ankuesit, ndërsa mos kthimi i përgjigjes nga institucionet shkel të drejtat e qytetarëve. Ushtrimi i përgjegjësive shtetërore duhet të kryhet me përgjegjësi dhe ne gjykojmë se vetëm dërgimi i një kërkese nuk heq përgjegjësinë për të kërkuar zbatimin e akteve nënligjore dhe garantimin e të drejtave të punonjësve.
2. Mosdhënia e uniformës punonjësve të Policisë së Burgjeve për rreth 10 vjet, e cila është justifikuar me mungesën e fondeve në buxhetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është në kundërshtim me aktet normative në fuqi sikurse janë VKM nr. 263, datë 05.05.2006 “Për miratimin e elementeve përbërëse të flamurit, uniformës dhe të shenjave, dalluese dhe identifikuese, të Policisë së Burgjeve dhe për përcaktimin e kritereve të mbajtjes së tyre” dhe Urdhri i Ministrit të Drejtësisë nr. 4575/2, datë 23.06.2006 “Për miratimin e normave të furnizimit me veshmbathje të punonjësve të Policisë së Burgjeve”. Ne vlerësojmë se qëndrimi që është mbajtur deri tani ndaj këtij problemi cënon hapur të drejtën ligjore të punonjësve të Policisë së Burgjeve. Ndërkohë theksojmë se mos dhënia e uniformës sipas normave të miratuara me akte nënligjore përbën edhe cënim të pamjes së jashtme të punonjësve të policisë dhe ndërkohë cënon imazhin e Policisë së Burgjeve dhe të vetë shtetit tonë.
3. Moskompensimi i orëve shtesë të punës të kryera gjatë pushimit javor ose në ditët e festave zyrtare nga punonjësit e informacionit dhe të sigurisë të planizuar me shërbim 12 orësh me pushim ose pagë të paktën 50% më të madhe se orët shtesë të bëra ose paga normale, vjen në kundërshtim me nenin 91/3 të Kodit të Punës. E vlerësojmë të arsyeshme të sqarojmë se koncepti i shprehur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në përgjigjet e dërguar institucionit tonë në lidhje me punonjësit e policisë që planizohen me shërbim 12 orë, se 4 orët nuk mund të konsiderohen orë shtesë përderisa kalohen 176 orë punë mujore, nuk është korrekt dhe ligjor. Sjellim në vëmëndje se përkufizimi i orëve shtesë është parashikuar në nenin 88 të Kodit të Punës, i ndryshuar, ku përcaktohet se:
“1. Me orë shtesë kuptohet çdo orë pune e kryer mbi kohëzgjatjen ditore normale ose javore maksimale të punës.
2. Quhet orë shtesë çdo orë pune e kryer mbi orarin normal të punëmarrësit që punon me kohë të pjesshme”.
Ndërsa në nenin 90 të Kodit të Punës, i ndryshuar, parashikohet se:
1. Numri maksimal i orëve shtesë përcaktohet në kontratën kolektive ose kontratën individuale të punës. Punëdhënësi mund të kërkojë kryerjen e orëve shtesë të punës, por jo më shumë se 200 orë në vit.
2. Nuk mund të kërkohet kryerja e orëve shtesë javore kur punëmarrësi ka kryer 48 orë pune në javë. Në raste të veçanta, për një periudhë deri në 4 muaj, mund të punohet me shumë se 48 orë në javë, por koha mesatare javore e punës, për këtë periudhë, nuk duhet të jetë më shumë se 48 orë.
3. Këshilli i Ministrave vendos rregulla të veçanta për kryerjen e orëve shtesë për punët që janë veçanërisht të vështira ose të dëmshme për shëndetin.
3/1. Ndalohet kryerja e orëve shtesë të punës nga gratë shtatzëna dhe pas lindjes së fëmijës, derisa fëmija të mbushë moshën 1 vjeç.
3/2. Ndalohet kryerja e orëve shtesë për personat me aftësi të kufizuar, për shkaqe objektivisht të justifikuara, që lidhen me shkallën e aftësisë së tyre të kufizuar dhe natyrën e punës për të cilën kërkohen orët shtesë.
4. Me autorizimin e Inspektoratit të Punës, numri maksimal i orëve shtesë mund të tejkalohet në rastet e forcës madhore ose të punëve urgjente në dobi të popullsisë.
Pra, nga përmbajtja e këtij neni sikurse rezulton se:
a) Numri maksimal i orëve shtesë të punës nuk mund të jetë më shumë se 8 orë në javë dhe 200 orë në vit. Çdo orë pune shtesë mbi këtë normë të parashikuar në Kodit të Punës me përjashtim të rasteve dhe rrethanave të parashikuara nga pika 4 e këtij neni në rastet e forcës madhore ose të punëve urgjente në dobi të pupullsisë, përbën shkelje ligjore dhe nuk duhet lejuar.
b) Megjithatë edhe në këto raste asnjë dispozitë e Kodit të Punës nuk ndalon kompensimin e orëve shtesë mbi këtë limit me shtesë page mbi pagën normale, ose me një pushim të pagueshëm të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer plus një pushim shtesë. Nëse në këto raste nuk mjafton fondi në dispozicion për pagat e punonjësve, nga drejtuesit e IEVP-ve dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve duhet të kërkohet fond shtesë institucioneve përkatëse dhe të mos zbatohet pika 9 e Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve nr. 1922 prot., datë 01.03.2017 “Mbi disa çështje të pagave në sistemin e burgjeve”, sepse në të tilla raste prevalon Kodi i Punës.
Ne gjykojmë se mos dhënia e pushimeve sipas parashikimeve ligjore sjell si pasojë uljen e rezistencës dhe të aftësive fizike e psikologjike të punonjësve të policisë dhe për rrjedhojë edhe të performancës së tyre në kryerjen e detyrës së ngarkuar me ligj. Për këto arsye Avokati i Popullit sugjeron që të respektohet në mënyrë korrekte Kodi i Punës dhe të mos ngarkohen punonjësit e policisë me kohë shtesë tej numrit maksimal të orëve shtesë të parashikuara në Kodin e Punës.
4. Lidhur me trajtimin e diferencuar në paga të punonjësve të Policisë së Burgjeve me punonjësit e Policisë së Shtetit nga ky hetim administrativ rezultoi se është cënuar neni 3, pika 4, e ligjit nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, i ndryshuar, ku parashikohet se: “Policia e Burgjeve është strukturë e depolitizuar, punonjësit e saj janë pjesë e administratës publike dhe gëzojnë të gjitha të drejtat për trajtim ekonomik - financiar, si Policia e Shteti."
5. Avokati i Popullit në përmbushje të misionit ligjor të parashikuar në nenin 2 të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, si nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend, gjykon se punonjësve të Policisë së Burgjeve duhet ti jepen dhe garantohen me ligj edhe disa të drejta të tjera e konkretisht: mbrojtja e veçantë ndaj atyre të cilëve iu kërcënohet jeta, familja dhe prona për shkak të detyrës; dhënia e kredive të buta për ata që janë të pastrehë; pagimi i qirasë së banesës, kur ajo nuk i sigurohet, në rastet kur punonjësi i policisë emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm; dhënia e pagesave për bashkëshortet/ët në rastet e transferimeve jashtë vendbanimeve të tyre dhe kur nuk sistemohen në punë, etj.
6. Për shkak të mbipopullimit në IEVP-të, kërkohet në mënyrë imediate rishikimi dhe ndryshimi i strukturës organike të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe rritja e numrit të punonjësve të Policisë së Burgjeve si pjesë organike e saj.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj ankese, si dhe nga verifikimet e bëra nga institucioni ynë në disa IEVP në vend, arritëm në konkluzionin se disa nga shqetësimet e ngritura nga ankuesit, të cilat i cituam më sipër, përbëjnë shkelje të të drejtave të tyre që burojnë nga marrëdhëniet e punës dhe të garantuara nga Kushtetuta, ligji nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, i ndryshuar dhe Kodi i Punës, i ndryshuar. Gjithashtu ato përbëjnë shkelje edhe të Rezolutës së OKB-së “Rregullat e Rishikuara të OKB për Standardet Minimale të Trajtimit të të Burgosurve (Rregullat Nelson Mandela)”, miratuar unanimisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 17 Dhjetor të vitit 2015 në të cilën përcaktohen standardet minimale për menaxhimin e mirë të burgjeve. Në kapitullin e punësimit dhe pagesat, Rregullat 74 dhe 78 parashikojnë se:
“Stafi i burgut duhet të emërohet në kohë të plotë dhe duhet të ketë statusin e shërbimit civil me sigurinë e mbajtjes së vendit të punës, duke vlerësuar sjelljen e mirë, efikasitetin dhe përshtatshmërinë fizike. Për të mbështetur stafin e burgjeve në punën e tyre, burgjet duhet të punësojnë një numër të mjaftueshëm specialistësh, duke përfshirë psikiatër, psikologë, punonjës socialë dhe mësues.
Pagat duhet të jenë adekuate për të tërhequr personel të përshtatshëm burgu dhe përfitimet e kushtet e punës duhet të jenë të favorshme në funksion të natyrës të punës”.
Kushtet e punës dhe respektimi i të drejtave të punonjësve të Policisë së Burgjeve ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e burgjeve por edhe në trajtimin e të burgosurve.
Ndodhur në këto rrethana dhe përderisa aktet normative ligjore e nënligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punës të punonjësve të Policisë së Burgjeve janë në fuqi, ato duhen zbatuar me rigorozitet.
Për sa më sipër, bazuar në pikën 3, të nenit, 63 të Kushtetutës ku thuhet se: “Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike” dhe në nenin 21/b të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, ku thuhet se: “Pas përfundimit të hetimit, Avokati i Popullit…. paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ, që, sipas tij ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive”,

R E K O M A N D O J M Ë:

1. Marrjen e menjëhershme të masave organizative nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Drejtoritë e IEVP-ve për respektimin e të drejtës ligjore të parashikuar në nenin 91/3 të Kodit të Punës të punonjësve të Policisë së Burgjeve për kompensimin e orëve shtesë të punës të kryera gjatë pushimit javor, ose në ditët e festave zyrtare nga punonjësit e informacionit dhe të sigurisë me pushim ose pagë të paktën 50% më të madh se orët shtesë të bëra ose paga normale.
2. Zbatimin e Kodit të Punës për sa i përket orëve maksimale shtesë që mund të kryhen gjatë një jave, muaji dhe viti nga punonjësit e Policisë së Burgjeve.
3. Marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur pajisjen sa më shpejtë me uniformë të punonjësve të Policisë së Burgjeve konform akteve normative në fuqi të cituara më lartë dhe sigurimin e uniformave në vijimsi.
4. Marrjen e masave të nevojshme për zbatimin e nenit 3, pika 4, të ligjit nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, i ndryshuar, me qëllim trajtimin e barabartë ekonomiko-financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve me punonjësit e Policisë së Shtetit.
5. Marrjen e masave të nevojshme për përgatitjen dhe dërgimin në Këshillin e Ministrave të projektit të VKM me propozime konkrete për ndryshimin dhe përmirësimin e VKM nr. 201, datë 15.03.2017 “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Burgjeve”.
6. Marrjen e masave të nevojshme për përgatitjen dhe dërgimin në Këshillin e Ministrave të projekt-ligjit për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 10032, datë 11.12.2008, "Për Policinë e Burgjeve" me qëllim dhënien dhe garantimin e disa të drejtave punonjësve të Policisë së Burgjeve sikurse mund të përmendim: mbrojtjen e veçantë ndaj atyre të cilëve iu kërcënohet jeta, familja dhe prona për shkak të detyrës; dhënien e kredive të buta për ata që janë të pastrehë; pagimin e qirasë së banesës, kur ajo nuk i sigurohet, në rastet kur punonjësi i policisë emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm; dhënien e pagesave për bashkëshortet/ët në rastet e transferimeve jashtë vendbanimeve të tyre dhe kur nuk sistemohen në punë, etj.,
7. Marrjen e masave të nevojshme dhe bërjen e propozimit përkatës Kryeministrit me qëllim ndryshimin e strukturës organike të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me qëllim rritjen e numrit të punonjësve të Policisë së Burgjeve për të përballuar nivelin aktual të numrit të të burgosurve.
8. Marrjen e masave të nevojshme për zgjidhjen e problemit të transportit të punonjësve të Policisë së Burgjeve nga vendbanimi në qendrat e punës dhe anasjelltas në ato qytete ku mungojnë linjat dhe mjetet e transportit publik.
9. Analizimin e shkeljeve të të drejtave ligjore që iu është bërë punonjësve të Policisë së Burgjeve, nxjerrjen e përgjegjësive dhe marrjen e masave administrative ndaj personave përkatës.