1 Qershor 2018

Institucioni I Avokatit Të Popullit Uron Me Rastin E Ditës Ndërkombëtare Të Fëmijëve, 1 Qershorin


INSTITUCIONI I AVOKATIT TË POPULLIT URON ME RASTIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË FËMIJËVE, 1 QERSHORIN

 

Sot në mbarë botën festohet Dita e Fëmijëve, 1 Qershori.

Promovimi dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë dhe institucioneve të shtetit shqiptar për respektimin e të drejtave të fëmijëve, e mbi të gjitha për realizimin efektiv të këtyre të drejtave, përbën një nga detyrimet tona ligjore, ku do vijojë të fokusohet puna e Avokatit të Popullit.

Mbrojtja e të drejtave të pjesës më të brishtë të shoqërisë sonë, për t’i krijuar mundësinë e përgatitjes për brezin e të ardhmes, do të vijojë të jetë një objektiv konstant i Avokatit të Popullit.

Si dhe sa realizohen e mbrohen të drejtat e njeriut në vendin tonë, tregohet dhe nga mënyra e trajtimit të fëmijëve më vulnerabël të shoqërisë. Vëmendja jonë duhet përqëndruar tek këta fëmijë, për një mbrojtje më të veçantë, ndihmë e fuqizim për familjet e tyre.

Në epokën e internetit, pjesëmarrja dhe mendimi i vetë fëmijëve, duhet t’u garantohet të gjithëve, me krijimin e hapësirave për të dëgjuar zërin dhe idetë e tyre dhe me krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët. Këto janë prioritete që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe në vetë projektimin e të ardhmes së shoqërisë sonë.

Çdo ditë do punojmë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në interesin më të lartë të tyre, në identifikimin e parregullsive apo veprimeve të paligjshme. Rekomandimet për përmirësimin e jetës së fëmijëve, në realizimin e të drejtave të tyre, janë një obligim kryesor për Komisionerin e Seksionit të Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të Fëmijëve në institucionin e Avokatit të Popullit në Shqipëri.

Gëzuar fëmijë, anembanë vendit.