10 Shtator 2018

Institucioni I Avokatit Të Popullit I Bashkohet Nismës Për Dhurimin Vullnetar Të Gjakut


INSTITUCIONI I AVOKATIT TË POPULLIT I BASHKOHET NISMËS PËR DHURIMIN VULLNETAR TË GJAKUT

 

Punonjës dhe përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit iu bashkuan sot nismës “Aleanca për dhurimin e gjakut” në ndihmë të Kryqit të Kuq Shqiptar.

Dhurimi vullnetar u krye në ambientet e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Avokatja Erinda Ballanca e cila ishte midis dhuruesve u shpreh se të japësh gjak për ata që kanë më shumë nevojë është jo thjesht një gjest humanizmi apo aq më pak, formë mëshire.

“Duke dhuruar gjak, ne u japim atyre që e marrin në mënyrë anonime prej nesh këtë kontribut të vogël, edhe një mesazh shprese dhe solidariteti shoqëror”, u shpreh avokatja Ballanca.

Përfaqësues të Kryqit të Kuq Shqiptar e falënderuan Institucionin e Avokatit të Popullit për gatishmërinë për t’iu bashkuar nismës.

Gjatë fushatës së dhurimit ambientet e Avokatit të Popullit u vizituan edhe nga Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta.

Kjo ishte vizita e parë që kreu i Shtetit zhvilloi në Institucionin e Avokatit të Popullit.

Midis Avokates së Popullit Erinda Ballanca dhe Presidentit të Republikës Ilir Meta, u zhvillua më pas edhe një takim në të cilin të dy zyrtarët biseduan mbi çështjet e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe punën e përbashkët të të gjitha institucioneve shqiptare për t’i mbrojtur dhe ngritur ato në një nivel më të lartë.