16 Maj 2024

Hagë, Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Konferencën E 13-Të Botërore Të Institutit Ndërkombëtar Të Ombudsmanëve (Ioi)


Hagë, Avokatja e Popullit merr pjesë në Konferencën e 13-të Botërore të Institutit Ndërkombëtar të ombudsmanëve (IOI)

Avokatja e Popullit, Znj. Erinda Ballanca dhe Komisionerja e Seksionit të Përgjithshëm, Znj. Vilma Shurdha ndoqën zhvillimet e Asamblesë së Përgjithshme dhe Konferencës së 13-të Botërore të Institutit Ndërkombëtar të ombudsmanëve (IOI), në Hagë.

 

 

Në panelin e diskutimit ku Avokatja e Popullit ka adresuar fjalën e saj, u theksua rëndësia që institucionet e Avokatit të Popullit të interpretojnë mandatin e tyre bazuar në parimet thelbësore si paanshmëria, pavarësia dhe llogaridhënia, duke synuar promovimin e drejtësisë dhe transparencës.

 

 

Znj. Ballanca evidentoi rëndësinë e Parimeve të Venecias në drejtimin e institucioneve të ombudsmanit, duke ofruar një kuadër gjithëpërfshirës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe llogaridhënien.

 

 

“Parimet e Venecias luajnë një rol të rëndësishëm në udhëzimin e institucioneve të ombudsmanit në interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Këto principe gjithashtu caktojnë një standard të ri, më ambicioz, për mandatin e institucioneve të ombudsmanit në të gjithë Evropën”, u shpreh znj. Ballanca

 

 

Avokatja e Popullit vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e besimit të publikut si një indikator që duhet të formësojë punën e institucioneve të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut.