Forcimi I Sundimit Të Ligjit, Demokracisë Dhe Të Drejtave Të Njeriut Në Vendet E Zgjerimit, Temat Kryesore Në Tryezën E Parlamentin Evropian Me Ikdnj-Të
Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca përfaqësoi Shqipërinë në tryezën e rrumbullakët të mbledhur në Parlamentin Evropian, ku Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut ishin të ftuara për të diskutuar krah parlamentarëve të BE-së (të cilët janë raporterë për vendet në proces aderimi), mbi çështje të fokusuara në forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në vendet e zgjerimit.
Në këtë tryezë të nivelit të lartë, u përcoll një lajm mjaft pozitiv referuar Raportit mbi “Sundimin e Ligjit” në vendet e BE-së, si një instrument që synon të monitorojë dhe vlerësojë respektimin e shtetit ligjor nga vendet anëtare.
Ky raport pritet të përfshijë edhe vendet potenciale kandidate për anëtarësim në BE, mes tyre Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, në të njëjtën mënyrë që përfshihen vendet anëtare të BE-së.
Përfshirja e vendeve për zgjerim në raport, tregon përkushtimin e BE-së për të ndihmuar kandidatët në rrugën e tyre drejt anëtarësimit dhe për të siguruar se ata respektojnë standardet dhe vlerat e kërkuara nga Bashkimi Evropian për integrim.
Znj. Ballanca, gjatë diskutimeve në këtë tryezë të nivelit të lartë, ka shkëmbyer pikëpamjet dhe përvojat konkrete në drejtim të sundimit të ligjit në Shqipëri. Ndërsa ka ndarë detaje mbi punën e institucionit që ajo drejton, si garantues dhe mbrojtës i pavarur i sundimit të ligjit në vend, Avokatja e Popullit ka evidentuar vështirësitë me të cilat përballet ky proces kaq i rëndësishëm.
Referuar aktivitetit të IKDNJ-ve si faktor thelbësor në identifikimin e problemeve me shtetin e së drejtës, gjatë tryezës u dakortësua për ravijëzimin të një vizioni dhe partneriteti të ri BE-IKDNJ.