Dita Portokalli, Dhuna Ndaj Grave Shënjohet Me Një Mesazh Ndërgjegjësues Mbi Shëndetin Mendor
Dhuna ndaj grave është një problem i thellë shoqëror, që shfaqet përtej lëndimeve fizike dhe që prek të gjithë qënien e tyre dhe shëndetin e tyre emocional e shpirtëror.
Sipas statistikave të ndryshme, gratë që përjetojnë dhunë, qoftë ajo fizike, emocionale apo psikologjike, janë më të prirura të zhvillojnë probleme serioze të shëndetit mendor. Ankthi dhe depresioni janë ndër pasojat më të zakonshme, të cilat prekin jo vetëm cilësinë e jetës së grave, por edhe marrëdhëniet e tyre me të tjerët dhe aftësinë për të funksionuar në jetën e përditshme.
Në Shqipëri, shumë gra që përjetojnë dhunë shpesh jetojnë në vetmi, duke u izoluar ose vetëizoluar, pa kurajon për të raportuar dhunën sistematike. Kjo ndodh si pasojë e stigmatizimit shoqëror dhe mungesës së mbështetjes së përshtatshme. Një situatë e tillë ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e shëndetit të tyre mendor.
Në këtë kontekst, është jetike që të ketë një rritje të ndërgjegjësimit me mbështetje psikologjike. Ndërhyrjet e hershme psikologjike mund të ndihmojnë në parandalimin e përkeqësimit të gjendjeve të shëndetit mendor, duke ofruar një dritë shprese për gratë e dhunuara.
Ngritja e më shumë shërbimeve të specializuara për gratë që përjetojnë dhunë dhe kanë pasoja në shëndetin mendor dhe emocional është thelbësore. Mbështetja gjithëpërfshirëse dhe shumëplanëshe do të kontribuonte ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Referuar rasteve që Avokati i Popullit ka trajtuar përgjatë dy viteve të fundit, është evidentuar se ato mbeten targetgrupi më i prekshëm për të përjetuar dhunë seksuale, ndërsa aksesi në shërbime dhe masat mbrojtëse për to mbeten të munguara. Po ashtu, strehimi në ambjente të sigurta mbetet një sfidë për ofruesit e shërbimeve të përkujdesit shoqëror.
Avokati i Popullit ashtu si dhe më parë, ndan të njëjtin qëndrim me ekspertët e GREVIO-s, të cilët i kanë bërë një thirrje urgjente autoriteteve shqiptare që gratë dhe vajzat të kenë akses në shërbime gjithëpërfshirëse shëndetësore, përfshirë shëndetin mendor.
Një kuadër i përmirësuar ligjor dhe politikash duhet të jetë në fokus të qeverisë, në përputhje edhe me rekomandimet e dhëna nga Komiteti “Për eliminimin e diskriminimit ndaj grave”, Grupi i Ekspertëve të Konventës së Stambollit GREVIO, apo dokumente të tjera ndërkombëtare.
Buxhetet për këtë qëllim duhet të rriten.
Sigurisht kjo është një sfidë e përbashkët, që kërkon angazhimin e shtetit, institucioneve të pavarura, organizatave të shoqërisë civile, donatorëve dhe komunitetit.
Në këtë ditë portokalli, le të reflektojmë mbi mënyrat se si mund të përmirësojmë jo vetëm shërbimet për gratë që përjetojnë dhunë, por edhe mënyrën si i mbështesim ato emocionalisht dhe psikologjikisht.