Dita Ndërkombëtare E Arsimit, Ap: Arsimi Është E Drejtë, Jo Privilegj!
E drejta për arsim është thelbësore për dinjitetin dhe zhvillimin njerëzor, duke u njohur si një nga shtyllat kryesore të të drejtave të njeriut në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Arsimi jo vetëm që është një e drejtë bazë, por edhe një mjet i fuqishëm për të çliruar potencialin njerëzor, për të luftuar pabarazitë dhe për të ndërtuar shoqëri të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, Institucioni i Avokatit të Popullit riafirmon angazhimin e tij për mbrojtjen e të drejtës së fëmijëve për arsim cilësor e gjithëpërfshirës. Në fokus të veçantë gjatë vitit 2024 ka qenë përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor, duke u siguruar që ata të kenë akses të plotë dhe të barabartë në arsim dhe në programe të tjera sociale. Përmes inspektimeve në institucionet e arsimit special dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese, ne kemi synuar të adresojmë pengesat me të cilat përballen këta fëmijë dhe të promovojmë politika që mbështesin zhvillimin e tyre intelektual, emocional dhe social.
Fëmijët me aftësi të kufizuara janë një pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe meritojnë çdo mundësi për të ndërtuar një të ardhme të denjë. Garantimi i arsimit gjithëpërfshirës dhe me cilësi për ta nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një investim për një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë.
Institucioni i Avokatit të Popullit i bën thirrje autoriteteve dhe gjithë aktorëve përgjegjës të intensifikojnë përpjekjet në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke siguruar që çdo fëmijë të ketë mundësi të barabarta për arsim dhe zhvillim.
Arsimi është e drejtë, jo privilegj!