12 Korrik 2023

Delegacion Italian I Mekanizmit Kundër Torturës Viziton Shqipërinë


DELEGACION ITALIAN I MEKANIZMIT KUNDËR TORTURËS VIZITON SHQIPËRINË

Një delegacion i nivelit të lartë nga Zyra e Garantuesit Kombëtar për të Drejtat e Personave të Privuar nga Liria të Italisë, viziton në datat 11-13 korrik vendin tonë.

Zyra e Garantuesit Kombëtar për të Drejtat e Personave të Privuar nga Liria është institucion i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në shtetin Italian, me funksionin e mekanizmit kombëtar kundër torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Vizita e delegacionit Italian organizohet në bashkëpunim me Avokatin e Popullit të Shqipërisë dhe ka për qëllim nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis dy institucioneve si dhe takime e kontakte me përfaqësues të institucioneve të rëndësishme shtetërore në vendin tonë.

Me marrëveshjen që nënshkruhet midis Avokatit të Popullit të Shqipërisë dhe Garantuesit Kombëtar për të Drejtat e Personave të Privuar nga Liria të Italisë, palët synojnë të fillojnë shkëmbimin e informacionit dhe të krijojnë bashkëpunim operacional për të forcuar kapacitetet e tyre të ndërsjella për të zbatuar mandatet e tyre përkatëse.

Gjithashtu marrëveshja hap rrugët për të shqyrtuar çdo bashkëpunim të mundshëm mes dy institucioneve në monitorimin e kthimeve të detyruara me qëllim respektimin e të drejtave të njeriut të migrantëve që i nënshtrohen operacioneve të kthimit para, gjatë dhe pas riatdhesimit të tyre.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, përveç njohjes dhe ndërveprimit me përfaqësues të institucionit partner, Avokatit të Popullit, delegacioni Italian do të zhvillojë takime edhe me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve si dhe Policinë e Shtetit.

Gjithashtu delegacioni Italian do të zhvillojë një vizitë edhe në një nga Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në vendin tonë.