20 Nëntor 2024

Dita Për Të Drejtat E Fëmijëve, Mesazhi I Avokatit Të Popullit: Fëmijëri E Mbrojtur, E Ardhme E Sigurt!


Dita për të drejtat e fëmijëve, Mesazhi i Avokatit të Popullit: Fëmijëri e Mbrojtur, e Ardhme e Sigurt!

Në këtë përvjetor të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, të reflektojmë mbi situatën e fëmijëve tanë, që jetojnë në një Shqipëri ende të mbushur me sfida.

Disa fëmijë përballen me dhunë në familje, varfëri, mungesë mundësish për arsim dhe shëndetësi dhe rrezikun e shfrytëzimit në punë.

Këto realitete faktike padyshim që nuk do të duhet t’i minimizojnë edhe përpjekjet e bëra, por duhet të na kujtojnë se mbrojtja e fëmijëve tanë duhet të jetë prioritet i shoqërisë dhe institucioneve.

Vetëm duke siguruar mbrojtjen e fëmijërisë të tyre, mund të ndërtojmë një të ardhme ku çdo fëmijë mund të rritet dhe të zhvillohet pa frikë dhe pa kufizime, në një shoqëri që garanton të drejtat dhe mundësitë e barabarta për të gjithë.

Avokati i Popullit gjen rastin të sjellë në vëmendje disa nga fushat më shqetësuese që Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Fëmijës ka ngritur në lidhje me gjendjen e fëmijëve në Shqipëri.

Komiteti ka theksuar se të drejtat e sanksionuara në Konventë janë të pandashme dhe ndërvarëse, dhe ka bërë thirrje për vëmendje të veçantë në disa fusha kyçe.

Kjo përfshin masat urgjente në lidhje me mosdiskriminimin, dhunën ndaj fëmijëve, abuzimin dhe shfrytëzimin seksual, sigurimet shoqërore dhe standardin e jetesës, arsimimin si dhe të drejtën për mjedis të shëndetshëm.

Këto janë sfida që kërkojnë veprime të menjëhershme dhe konkrete për të garantuar të drejtat e fëmijëve dhe për të siguruar një të ardhme më të sigurt për ta. ‎