13 Nëntor 2024

Buxheti 2025, Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Seancën Dëgjimore Të Komisionit Të Ligjeve


Buxheti 2025, Avokatja e Popullit merr pjesë në seancën dëgjimore të Komisionit të Ligjeve

Avokatja e Popullit mori pjesë në seancën dëgjimore të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, për shqyrtimin e projektligjit "Për buxhetin e vitit 2025".

Gjatë kësaj seance, znj. Ballanca diskutoi mbi plotësimin e zërave të buxhetit dhe përparësitë financiare të institucionit për vitin 2025, ndërsa paraqiti kërkesat buxhetore të institucionit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes financiare për realizimin e programeve dhe objektivave të Avokatit të Popullit për vitin e ardhshëm.

Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit argumentoi se cila do të ishte mbështetja e nevojshme financiare që do t'i mundësonte institucionit të përmbushte detyrimet e tij në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe për rritjen e efikasitetit në zbatimin e programeve të planifikuara.

Në kuadër të përgatitjes së Projekt Buxhetit 2025, znj. Ballanca theksoi se, pavarësisht se disa nga propozimet buxhetore janë reflektuar nga Ministria e Financave, është e nevojshme të merren në konsideratë disa shtesa për të përmbushur në një nivel më të kënaqshëm mandatin e institucionit.

Konkretisht, institucioni kërkon burime njerëzore shtesë për të siguruar mbështetjen e vazhdueshme në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë një nënseksion të ri për Çështjet Ligjore, Analizës dhe Raportimit. Ky nënseksion do të ndihmojë në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve, analizën e të dhënave, raportimin në kuadër të monitorimit të zbatimit të Konventave Ndërkombëtare dhe ecurisë së procesit të integrimit evropian, etj.

Gjithashtu, kërkohet një ndihmëskomisioner shtesë në Seksionin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, për të forcuar aftësinë e këtij sektori në monitorimin e institucioneve ku privohet liria e lëvizjes.

Avokatja e Popullit nënvizoi se institucioni po përgatitet për procesin e riakreditimit në mars 2025, që realizohet pranë zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, nga Aleanca Globale e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të njeriut (GANHRI) një proces kompleks që kërkon ruajtjen e statusit të nivelit A në çështjet e të drejtave të njeriut, çka do të thotë nevojë për rritjen e kapaciteteve.

Gjithashtu, ajo vuri në dukje rëndësinë e zgjerimit të mandatit të institucionit për të përfshirë edhe sektorin privat, që aktualisht mbetet jashtë fushës së mbulimit të Avokatit të Popullit. Duke iu referuar vëmendjes së deputetëve ndaj raporteve ndërkombëtare që adresojnë problematikat, znj. Ballanca theksoi se pjesa më e madhe e tyre bazohen në gjetjet dhe rekomandimet e Avokatit të Popullit, duke e cilësuar kështu institucionin si një kontribues të rëndësishëm në këto raporte për çështjet e të drejtave të njeriut.

Në kontekstin e çështjeve të shtruara për diskutim nga ana e anëtarëve të komisionit, Avokatja e Popullit kërkoi mbështetje të vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve të institucionit, me qëllim garantimin e një mbrojtjeje efektive dhe gjithëpërfshirëse të të drejtave të njeriut në Shqipëri.