Avokatët E Popullit Të Shqipërisë Dhe Kosovës Së Bashku Në Një Takim Dyditor Për Shkëmbimin E Praktikave Të Mira
Avokatja e Popullit të Shqipërisë, znj. Erinda Ballanca dhe Avokati i Popullit të Kosovës, z. Naim Qelaj, së bashku me stafet reciproke, janë mbledhur së bashku në një takim dy ditor me temë "Shkëmbimi i praktikave të mira dhe përvojës në përmbushjen e mandatit të Avokatit të Popullit në shtetet respektive".
Ky takim i konceptuar si një platformë për të forcuar bashkëpunimin mes dy institucioneve dhe për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të dy vendet, solli për diskutim disa tema kyçe si liria e besimit, ndërgjegjës dhe fesë; qasja e Institucionit të Avokatit të Popullit në trajtimin e ankesave nga komuniteti LGBTI+; si dhe analizimi i legjislacionit dhe adresimi i rekomandimeve për harmonizimin e tij me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Palët diskutuan mbi zbatimin efektiv të këtyre standardeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor.
Bazuar në eksperiencën e kaluar me sukses, delegacioni i Avokatit të Popullit të Shqipërisë ndau eksperiencën e vlefshme institucionale të aderimit në GANHRI (Rrjeti Global i Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut). Znj. Ballanca theksoi rëndësinë e procesit të akreditimit, i cili është një hap shumë i rëndësishëm për një institucion kombëtar për të drejtat e njeriut.
Për Avokaten e Popullit ky proces jo vetëm që vlerëson përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, por gjithashtu përmirëson besueshmërinë dhe efektivitetin e institucionit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
“Përmes akreditimit, institucionet kombëtare mund të forcojnë pozicionin e tyre në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke u bërë më të afta për të adresuar çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut dhe për të ndikuar në politikat publike”, u shpreh znj. Ballanca
Në përfundim, të dy Avokatët e Popullit shprehën angazhimin e tyre për të vazhduar punën e përbashkët në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe Kosovë.