Avokatja E Popullit: Neni 6 I Kednj, Thelbësor Për Mbrojtjen E Të Drejtës Për Një Proces Të Rregullt

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca ishte e pranishme sot në hapjen e seminarit të organizuar nga Zyra e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), me fokus nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – të drejtën për një proces të rregullt.
Aktiviteti ka mirëpritur ndihmëskomisionerët e institucionit të Avokatit të Popullit, me qëllim një kuptim më të thelluar të nenit 6 të KEDNJ, i cili është thelbësor për punën e tyre të përditshme në shqyrtimin e ankesave dhe mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve për një proces të rregullt ligjor.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Avokatja e Popullit theksoi se neni 6 i KEDNJ lidhet ngushtë me punën e institucionit, duke kërkuar një kuptim të plotë dhe të thellë të zbatimit të tyre. Ajo nënvizoi se përvoja gjermane është veçanërisht e vlefshme, pasi tregon një qasje të matur e herë pas here konservatore në zbatimin e këtyre të drejtave, duke ofruar një krahasim të rëndësishëm për vende si Shqipëria, ku besimi tek funksionimi i sistemit të drejtësisë mbetet ende i brishtë.
Duke ndalur tek “Rule of Law Checklist” i Këshillit të Europës – një instrument i miratuar dhjetë vite më parë dhe tashmë në proces përditësimi – Avokatja e Popullit vuri në dukje rëndësinë që ky dokument ka marrë në raportet e sundimit të ligjit të Bashkimit Europian dhe në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vijim, ajo ngriti shqetësimin për fenomenin e “backsliding” të të drejtave të njeriut në disa vende të Europës, një prirje që u përkeqësua pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë, kur qeveritë ushtruan pushtete të jashtëzakonshme që shpesh dobësuan mekanizmat e kontrollit demokratik.
Gjithashtu, Avokatja e Popullit theksoi se vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj forcimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, duke marrë parasysh edhe vendime të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese si ai për kampin e migrantëve. Në këtë kontekst, ajo solli në vëmendje se debati europian për standardet në trajtimin e migrantëve duhet të bazohet në respektimin e plotë të konventave ndërkombëtare dhe vendimeve gjyqësore, jo në letra apo kërkesa politike.