Avokatja E Popullit Në Një Ditë Të Hapur Me Nxënësit E Shkollës "Sami Frashëri"
Në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës "Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri", Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, mori pjesë në një takim me nxënës të Shkollës "Sami Frashëri".
Ky aktivitet kishte për synim fuqizimin përmes edukimit, duke i pajisur nxënësit me njohuri dhe aftësi për të qenë qytetarë aktivë dhe të informuar në shoqëri.
Diskutimit i parapriu shfaqja e një reportazhi mbi jetën e një të burgosuri gjatë periudhës së diktaturës në Shqipëri, Osman Kazazi, duke hedhur dritë mbi jetën e tij të vështirë dhe kalvarin e vuajtjeve për gati 40 vite.
Ky reportazh shërbeu si një sfond i rëndësishëm për të theksuar rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe për të ilustruar pasojat e mungesës së demokracisë dhe lirive themelore.
Tregimi i përjetimeve të Osman Kazazit ofroi një perspektivë të gjallë mbi vuajtjet e shkaktuara nga represioni dhe mbi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të vlerave demokratike.
Pjesëmarrja e znj. Ballanca në këtë takim është një hap i rëndësishëm për inkurajimin e dialogut dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Avokatja e Popullit iu përgjigj pyetjeve të nxënësve mbi çështje të ndryshme të lidhura me të drejtat e njeriut.
Duke qenë një ish-nxënëse e këtij gjimnazi, znj. Ballanca iu bashkua këtij diskutimi në një dimension edhe më personal.