Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Tryezën Ndër-Institucionale "Fuqizimi I Institucioneve Mbikëqyrëse Në Luftën Ndaj Korrupsionit Në Sistemin Shëndetësor"
Avokatja e Popullit, znj.Erinda Ballanca mori pjesë sot në një tryezë ndërinstitucionale të organizuar nga USAID mbi rolin e institucioneve të pavarura sic është edhe Avokati i Popullit, në luftën kundër korrupsionit në shëndetësi.
Në tryezë merrnin pjesë gjithashtu edhe përfaqësues nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ILDKPI.
Tryeza synonte të paraqiste gjetjet e kontrolleve, inspektimeve apo raporteve të përpiluara nga institucionet në lidhje me shërbimin shëndetësor në vend.
Në fjalën e saj Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca u shpreh:
"Teksa shikoj përreth kësaj salle të mbushur me kolegë, bashkëpunëtorë, miq, organizata partnere dhe përfaqësues të nderuar institucionesh të larta, nuk kam sesi të mos ndjehem e privilegjuar.
E privilegjuar sepse shoh se bëj pjesë në një koalicion të madh njerëzish të angazhuar për të sjellë ndryshim pozitiv në jetën e qytetarëve tanë. E inkurajuar sepse shikoj se pavarësisht pikëpamjeve, këndvështrimeve, përvojave apo mendësive, në fund qëllimet e mira I bëjnë njerëzit bashkë. Dhe besoj, kjo është fryma e vetme që mund të ngjallë një fije shprese në këtë vendin tonë.
Avokati i Popullit në Shqipëri, si një institucion kushtetues i rëndësishëm i promovimit, parandalimit dhe mbrojtjes ndaj shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përbën një pjesë integrale të sistemit të kontrollit dhe balancës, i cili është sot një parim bazë i qeverisjes demokratike në të gjithë botën e qytetëruar.
Ky institucion udhëhiqet nga parimet e paanshmërisë, konfidencialitetit, profesionalizmit, dhe pavarësisë dhe bën pjesë në familjen e madhe të institucioneve të krijuara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe nxitjen e standarteve më të larta të respektimit të tyre ne vend, qe siç parashikohet edhe nga Parimet e Parisit, jane “garante të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të të drejtave të njeriut”.
Avokati i Popullit është një garanci kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave lirive dhe interesave të ligjshëm të individit, shtetasve shqiptarë, të huajve, rezidentëve të rregullt ose jo në Shqipëri, refugjatëve, si dhe personave pa shtetësi që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Ai është mbi çdo gjë një autoritet moral për të cilin kemi kaq shumë nevojë.
Duke pasur juridiksion administrativ, mbrojtja e të drejtave dhe interesave të ligjshëm të individit, kryhet në kuadër të veprimtarisë së administratës publike si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj, me përjashtimet e parashikuara në ligj. Mjeti ligjor i tij kryesor është rekomandimi, gjë e cila e identifikon atë si një organ jo-penalizues.
Avokati I Popullit qëndron ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civilen si urë lidhëse midis të drejtave të individëve dhe përgjegjësive të shtetit. Gjatë vitit 2017, Institucioni i Avokatit të Popullit ka patur një sërë arritjesh ku, ndërmjet të tjerash, mund të përmenden:
Realizimi me sukses të angazhimeve të Avokatit të Popullit në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi; Forcimi i rolit dhe partneritetit në raport me organet qendrore të administrates publike, veçanërisht për sa i përket proceseve të iniciativave legjislative; Rritja e pranisë aktive në mekanizmat ndërkombëtarë që merren me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Forcimi i bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë në funksion të fuqizimit dhe mbështetjes institucionale të Avokatit të Popullit.
Sfidë mbetet krijimi i një administrate publike më të ndjeshme dhe llogaridhënëse ndaj opinionit publik dhe më të përgjegjshme ndaj kërkesave për drejtësi dhe besueshmëri; krijimi i një kulture demokratike të respektimit të të drejtave të njeriut; rritja e besueshmërisë së institucionit të Avokatit të Popullit tek qytetarët si dhe Ngritja dhe funksionimi i mekanizmave të nevojshëm për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga administrata publike.
Gjatë vitit 2017, rezulton se nga 188 rekomandime të adresuara në total 24 janë pa përgjigje; 29 Rekomandime të Refuzuara; 123 Rekomandime të Pranuara; si dhe 12 në proces shqyrtimi.
Nga numri i rekomandimeve të pranuara rezultojnë 80 rekomandime të zbatuara ose pjesërisht të zbatuara; 19 rekomandime të pazbatuara; 24 rekomandime të tjera, të cilat janë pranuar në parim.
Problematik mbetet moskthimi me korrektesë i përgjigjeve të shkresave për shpjegime nga institucionet shtetërore (kujtojmë që në disa raste shkresat u janë dërguar më shumë se një herë institucioneve shtetërore), duke penguar kështu hetimin administrativ që kryhet nga ana jonë.
Evidentojmë gjithashtu me shqetësim se në mjaft raste, nuk jemi ftuar për të dhënë mendim për projektligje, apo akte te tjera normative, të cilat lidhen me Liritë dhe të Drejtat e Njeriut.
Gjatë këtij viti, nga Institucioni i Avokatit të Popullit janë trajtuar në total 4546 ankesa, kërkesa dhe njoftime (duke përfshirë dhe ato të pritjes së qytetarëve).
Ankesat e shqyrtuara sipas seksioneve të institucionit të Avokatit të Popullit gjatë vitit 2017 kanë qenë gjithsej 1752. Nga zyra e pritjes së qytetarëve, 2408 ankesave, u është dhënë përgjigje menjëherë, ndërsa 386 ankesave u është dhënë përgjigje në formën e këshillimeve shkresore. Nga të dhënat, rezulton se 101 ankesa kanë qenë jashtë juridiksionit, 163 ankesa jashtë kompetence, 412 ankesa të pabazuara, 32 Ankesa prej të cilave është hequr dorë, 490 Ankesa të pranuara pa Rekomandim (të zgjidhura në favor të qytetarëve).
Ndërkohë, ankesat e shqyrtuara sipas seksioneve kanë qenë të shpërndara si më poshtë.
Seksioni i Administratës 604 ankesa, Seksioni i Veçantë 574 ankesa, Seksioni i Përgjithshëm 412 ankesa, Njësia e parandalimit të Torturës 98 ankesa dhe Seksioni i Fëmijëve 64 ankesa.
Por le të ndalemi tek të dhënat që lidhen me respektimin e të drejtës së qytetarëve për shërbim shëndetësor cilësor.
Sigurimi i qasjes së plotë dhe i përmirësimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në të gjitha nivelet dhe për të gjithë qytetarët mbetet ende sfidë për shtetin dhe shoqërinë shqiptare. E drejta për kujdes shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut, ku rolin themelor e luan shteti si garantues i sigurisë së pacientit bazuar ne mosdiskriminimin.
Kujdesi shëndetësor është tërësia e masave dhe veprimtarive të ndërrmarra nga institucionet e kujdesit shëndetësor, punonjësit shëndetësor dhe shtetasit me qëllim përmirësimin e mirëqënies fizike, mendore e sociale sikundër përcaktohet në shumë akte ligjore kombëtare e ndërkombëtare. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 55/1 të saj përcakton se: “Shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti”, e gjithashtu, në nenin 55/2 citohet se: “Kushdo ka të drejtë për sigurim shëndetësor sipas procedurës së caktuar me ligj”.
Karta e të Drejtave të Pacientit gjithashtu reflekton një dokument zyrtar ndërkombëtar të miratuar edhe nga vendi ynë në datë 31 Janar 2011. Me këtë Kartë pacientët zotërojnë një dokument me të cilin ata do “të mbrohen, do të kompensohen në rast dëmtimi dhe do të kenë akses në shërbimet shëndetësore”.
Një sistem shëndetësor duhet të jetë i dizenjuar për të adresuar nevojat e ndryshme të popullatës në mënyrë të drejtë, efikase dhe të përgjegjshme. Sistemet shëndetësore edhe pse ndryshojnë në masë të madhe në mënyrën se si janë të organizuara, të menaxhuara, dhe të financuara, duhet të sigurojnë barazinë në akses, në cilësinë e lartë, efikasitetin dhe qëndrueshmërinë financiare të shërbimeve të kujdesit shëndetësor për të gjithë popullsinë, bazuar kryesisht në nevojën dhe jo në aftësinë për të paguar.
Duke vlerësuar këtë të drejtë, si një prej çështjeve më të rëndësishme të një shteti social, si dhe element të rëndësishëm të se drejtës që ka çdo individ për të jetuar i shëndetshëm, veprimtaria e Avokatit të Popullit periodikisht, është fokusuar ne trajtime të ankesave të pacientëve dhe organizatave të ndryshme, inspektime në Qendrat Spitalore të Shëndetit Mendor, në Spitalet Rajonale në të gjithë vendin.
Sistemi Shëndetësor në Shqipëri është kryesisht publik. Shteti siguron pjesën më të madhe të shërbimeve shëndetësore që i ofrohen popullatës si në fushën e promocionit, parandalimit, diagnostikimit dhe kurimit. Në sektorin publik rolin kryesor e luan Ministria e Shëndetësisë e cila është hartuese dhe përgjegjëse për zbatimin e politikave dhe strategjive të sistemit shëndetësor, për rregullimin e funksionimit të tij, si dhe për koordinimin e të gjithë aktorëve brenda dhe jashtë sistemit.
Njerëzit duan që komunitetet dhe mjediset të jenë të sigurta dhe që shëndeti i tyre parësor të jetë i mbrojtur nga qasja universale shëndetësore dhe mbrojtja sociale. Sipas OBSH-së, qeveritë janë përgjegjësit kryesorë për formatimin e sistemeve kombëtare shëndetësore, duke patur parasysh se kjo do të thotë që sistemi shëndetësor kërkon riparime të herëpasherëshme në punë e sipër për t‘u përmirësuar. Në këtë formatim një rol të rëndësishëm duhet të luajnë politikanët e një vendi, pushteti lokal, grupet kërkimore - shkencore, sektori privat, shoqëria civile si dhe komuniteti global shëndetësor .
Sipas OBSH-së: “Qasja e shëndetësisë nga perspektiva e të drejtave të njeriut, mund të shërbejë si një kornizë, e cila shtetet dhe bashkësinë ndërkombëtare mund t’i mbajë të përgjegjshme për atë që ka ndodhur dhe atë që duhet bërë për shëndetin e popullit. Masa në të cilën të drejtat e njeriut janë integruar në krijimin e politikave, analizave të gjendjes shëndetësore sociale dhe fizike, ashtu si edhe shpërndarja e shëndetit, tregojnë një lëvizje pozitive drejt realizimit të së drejtës për shëndet”
Por si është realiteti në Shqipëri!
Institucioni i Avokatit të Popullit ka një panoramë relale sa i takon problematikave së sistemin shëndetësor, kjo falë një “Raporti të Veçantë”, që ne si institucion kemi hartuar dhe paraqitur edhe ne Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu ne disponojmë edhe dy studime të veçanta të hartuara me partnerët tanë, organizata të shoqërisë civile lidhur me gjendjen e qëndrave shëndetësore dhe problematikat e tyre. Këto studime janë prezantuar dhe dërguar dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si ministri e hartimit të politikave për një shërbim shëndetësor dinjitoz në shërbim të pacientëve.
Në fillim të vitit 2014 Qeveria dhe Ministria e Shendetësisë inicioi një fushatë kundër korrupsionit në përgjithësi, duke hapur edhe një faqe në internet www.stopkorrupsionit.al. Kjo fushatë me qëllim luftën ndaj korrupsionit dhe përmirësimit të kujdesit shëndetësor pati efekt negativ në motivimin e mjekëve për të punuar.
Emigrimi i shtuar sidomos vitin e fundit i mjekëve është trajtuar si problem edhe në media dhe tregon se fenomeni është i përhapur. Rryshfeti është një mënyrë jo-formale për të shtuar të ardhurat e stafit mjekësor. Ai sjell pabarazi në aksesin, cilësinë e shërbimit shëndetësor dhe qarkullim të parasë në mënyrë informale, pa paguar taksat dhe tatimet.
Korrupsioni në dhënien e kujdesit shëndetësor shfaqet më shpesh, dhe është konsideruar si sistemike, edhe në ekonomitë në tranzicion të Europës Qëndrore dhe Lindore. Në vendet e Europës Perëndimore, mitmarrja në dhënien e shërbimit shëndetësor është më e rrallë dhe e kufizuar në zona specifike, ashtu si edhe në raste të izoluara në trajtimin para dhe pas operacionit.
Ne mendojmë se po të ketë vullnet gjithpërfshirës mund dhe duhet të minimizohet dhe luftohet korrupsioni. Kjo mund të arrihet në shumë mënyra ku më kryesorja është transparenca. Me transparencë kuptojmë konkretisht, transparencën me fondet publike, tenderimet dhe koncensionet, transparencë në mardhëniet mjek-pacient, transparencë në rekrutimet e punësimit të bluzave të bardha, transparencë që në auditoret e Fakultetit të Mjekësisë, dhe së fundi vullnet dhe dëshirë për ta perceptuar dhe implementuar transparencën.
Të gjitha sa përmënda kanë rëndësinë e vet por rritja e të ardhurave të personelit shëndetësor, sidomos mjekëve dhe infermierëve, si në spitale ashtu edhe nëpër qendrat shëndetësore, është e domosdoshme dhe mund të kryhet përmes dy rrugëve: duke rritur pagën aktuale të tyre në nivele të profesioneve me vështirësi të përafërt; si dhe duke ndryshuar mënyrën e pagesës së tyre, ku mjekët në spital të paguhen në bazë të aftësisë që kanë dhe volumit të punës që kryejnë, ndërsa mjekët në qendër shëndetësore të paguhen tërësisht në bazë të numrit të pacientëve që kujdesen.
Pra sa përmënda më sipër në mënyrë të përmbledhur këto janë qasjet që institucioni i Avokatit të Popullit ka, për problematikat e sistemit shëndetësor në vend, dhe luftën ndaj korrupsiont në sistemin shëndëtësor.
Referuar praktikës gjyqësore për hetimin e korrupsionit, nga një këqyrje e vendimeve gjyqësore në arshivën online të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, del se janë shumë të rralla çështjet gjyqësore për korrupsionin e mjekëve. Gjatë vitit 2016-2017 janë vetëm 4 çështje, 2014- 2015 nuk ka asnjë çështje gjyqësore për staf mjekësor. Në 2013 ka një çështje gjyqësore, në 2012 një çështje gjyqësore për korrupsion të stafit mjekësor dhe asnjë të dënuar. Në vitin 2011 ka një të dënuar infermiere për korrupsion, e cila u dënua me heqje lirie (dënim i pezulluar), me gjobë e pezullim nga funksionet publike për 2 vjet.
Pra sa më sipër mund të themi se zhurmë ka shumë në lidhje me korrupsionin në shëndetësi por të ndëshkuar shumë pak ose fare. Kjo tregon besimin e ulët të popullatës ke sistemi i drejtësisë ku i korruptuari arrin të korruptoj sistemin dhe të bëhet i paprekshëm. Mendoj se projekti i iniciuar nga USAID “Transparencë në Sistemin Shëndetësor në Shqipëri”, dhe qëllimi i tij për të përmirësuar shërbimet shëndetësore të shqipëtarëve duke mbështetur Qeverinë e Shqipërisë në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin, është mëse i domosdoshëm dhe shpresëdhënës.
Gjithashtu vlerë e shtuar e këtij projekti është inkurajimi dhe bashkëpunimi i institucioneve të pavarura, pra Avokatit të Popullit, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, shoqërisë civile dhe medias për të kërkuar dhe luftuar secili prej nesh brenda kuadrit ligjor jo vetëm korrupsionin në shëndetësi, por edhe një qeverisje më të mirë të sistemit shëndetësor.
Gjatë vitit 2017, Institucioni i Avokatit të Popullit, ka marrë në shqyrtim 45 ankesa në fushën e shëndetësisë në përgjithësi. Nga këto 15 kanë qënë raste me inisiativë të trajtuara nga ana jonë. Objekti i ankesave kanë qënë trajtimi mjekësor jo konform standardeve, kërkesa për kurim jashtë vendit, ankesa për mungesa në medikamente, kryesisht në QSUT-në, mardhënie punësimi, etj. Nga numri i ankesave të marra në total për 40 ankesa ka përfunduar shqyrtimi, ndërsa 5 të tjera janë në shqyrtim. Në numrin e ankesave të shqyrtuara, 30 ankesa janë zgjidhur në favor të qytetarit.
Në kuadër të veprimtarisë së tij, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar gjatë vitit raportues e në vazhdim problematikat e bëra prezent, si nëpërmjet ankesave të ndryshme të paraqitura në institucion, por edhe të rasteve të bëra publike në median e shkruar dhe online.
Në mënyrë që të përmirësohet cilësia dhe standardet e trajtimit të pacientëve të çdo spitali apo qendre spitalore hëndetësore, duhet të ketë në mënyrë permanente medikamente të mjaftueshme kryesisht në QSUT, Tiranë, për shkak të fluksit të paci entëve nga e gjithë Shqipëria. Mungesa të mbartura vit pas viti ka siç dihet në spitalin onkologjik për shkak të specifikës dhe shtimit të numrit të pacientëve që trajton ky institucion spitalor në veçanti.
Mungesa e mjekëve specialistë në spitalet rajonale në të gjithë vendin mbetet problematikë e mbartur ndër vite dhe si rezultat mungesa e shërbimeve apo aparaturave ndikon që pacientët të gjejnë rrugë alternative kurimi, siç është fluksi i pacientëve drejt kryeqytetit dhe QSUT-së. Problematike paraqitet edhe mungesa e pajisjeve mjekësore, apo amortizimi i pajisjeve ekzistuese në spitalet rajonale e cila sjell më tej mosofrimin me cilësi dhe standard të shërbimit mjekësor në këto zona.
Referuar ankesave më specifike të shqyrtuara për të cilat janë hartuar edhe rekomanime për vitin 2017 do veçonim ankesën e Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, e cila përcjell një shqetësim të infermierëve të QSUT-së. Konkretisht ata ankohen lidhur me tarifën e vendosur për parkimin prej 100 lekësh në ditë, pagesë që kërkohet të kryhet vetëm nga infermierët dhe jo nga mjekët, të cilët janë të pajisur me karta elektronike dhe janë të përjashtuar nga kjo pagesë.
I është rekomanduar QSUT‐së” Përfshirja sa më parë në listën e personelit mjekësor për përjashtimin nga tarifa ditore e parkimit në ambjentet spitalore, kategorinë e infermierëve të QSUT‐së, bazuar në nenit 2 të aktmarveshjes së 21 Janarit të vitit 2013 pika 1/c, ndërmjet shoqërisë “Steoalb” shpk dhe QSUT‐ Nënë Tereza”.
Gjithashtu, rast tjetër ka qënë edhe problematika e shtetases D.XH e cila vuan nga një sëmundje e rrallë, e papërfshirë në protokolle mjekësore, me pasojë mostrajtim të denjë shëndetësor dhe social për këtë shtetase. I është rekomanduar MSHMS “Marrja e masave të nevojshme dhe të menjëhershme për futjen në protokolle mjekësore të sëmundjes së fibromialgjisë, si një detyrim që ka çdo institucion shtetëror për respektimin e të drejtave të njeriut të njohura me kushtetutë dhe ligje të veçanta”.
Rast tjetër ka qënë ankesa nga një gup pacientësh që trajtohen me Hemodializë në QSUT, Nënë Tereza. Kjo kategori pacientësh ka shumë shqetësime me të cilat ata përballen në jetën e përditshme si pacientë. Konkretisht ata kërkojnë marrjen e disa medikamenteve që janë të domosdoshme për shëndetin e tyre. I është rekomanduar QSUT‐së “Marrja në konsideratë dhe zgjidhjen sa më parë të problematikave të ngritura nga pacientët që trajtohen me Hemodializë në QSUT “Nënë Tereza”.
Niveli i respektimit të drejtave të personave në Spitalet Psikiatrike:
Spitali Universitar Psikiatrik “Xhavit Gjata” pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, Shërbimi i Shëndetit Mendor me Shtretër në Shkodër, Spitali Psikiatrik Elbasan dhe Spitali Psikiatrik Vlorë kanë në funksionin e tyre trajtimin më të specializuar dhe rehabilitimin e personave me probleme të shëndetit mendor, për të cilët kanë shteruar të gjitha mundësitë ekzistuese për të marrë një shërbim të tillë në komunitet, nuk ka mundësi të trajtimit të tyre në kushte ambulatore, apo nevojitet konsultë psikiatrike nga kërkesat që vijnë nga urgjencat e spitaleve të përgjithshme.
Vizitat monitoruese në këto spitale përveç objektit të përgjithshëm të vizitave kishin si qëllim specifik: vlerësimin e respektimit të të drejtave dhe të standardeve që u ofrohen personave me çrregullime të shëndetit mendor në mjediset e shërbimit të shëndetit mendortë specializuar me shtretër, të përcaktuara në ligjin nr. 44/2012, datë 08.05.2012 “Për Shëndetin Mendor”; vlerësimin e procedurave të kryerjes së shtrimeve të pavullnetshëm; masat shtrënguese e kufizimin fizik; kushtet në të cilat mbahen këta persona, trajtimin e tyre mjekësor dhe rehabilitues dhe verifikimin e zbatimit të rekomandimeve të prezantuara për këto ambiente gjatë viteve të mëparshme.
Nga gjetjet prej vizitave monitoruese të kryera gjatë vitin 2017, në spitalet e lartpërmendura psikiatrike, Avokati i Popullit konstatoi se, ndonëse disa prej rekomandimeve janë të përsëritura ndër vite, ato nuk janë zbatuar, ndaj kërkoi përmes rekomandimeve të dërguara vëmendje të veçantë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të drejtuesve të shërbimeve përkatëse për ndërhyrje të menjëhershme në zgjidhjen e problematikave.
Ndër të tjera u rekomandua marrja e masave të nevojshme nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Drejtësisë për Vënien në zbatim të nenit 28 të ligjit nr. 44/2012 “Për Shëndetin Mendor”.
Nga këto institucione është kërkuar marrja e masave për ngritjen e institucioneve të posaçme mjekësore dhe për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor, që kanë kryer një vepër penale, për të cilët gjykata kompetente ka vendosur mjekimin e detyruar në një institucion mjekësor, të të paraburgosurve apo të të dënuarve që shfaqin çrregullime të shëndetit mendor gjatë vuajtjes së dënimit, si dhe për trajtimin e personave, për të cilët gjykata ka vendosur shtrimin e përkohshëm në një institucion mjekësor të posaçëm, sipas nenit 239 të Kodit të Procedurës Penale, i ndryshuar.
Gjithashtu është kërkuar gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë, efektive dhe të qëndrueshme, për shqyrtimin kryesisht brenda afateve ligjore nga gjykatat të të gjitha vendimeve të dhëna për “mjekim të detyruar në një institucion mjekësor”, si dhe për dërgimin e vendimeve në institucionet ku trajtohen personat përkatës.
Ndër të tjera është rekomanduar shtimi në organikat e spitaleve të mjekëve psikiatër, infermierëve “kujdestarë/task forcë”, stafit të sigurisë, sanitarëve dhe berberit, me qëllim ofrimin e një shërbimi të përshtatshëm për specifikat e këtij shërbimi të shëndetit mendor me shtretër.
Avokati i Popullit gjithashtu vlerëson se në një plan më të gjerë dhe afatgjatë janë të nevojshme këto masa:
Shtimi i menjëhershëm dhe në vitet në vijim i kuotave për specializantë në Psikiatri; Riformulimi i kritereve të punësimit për funksionet klinike “kujdestar” dhe “task forcë”, me edukim infermieristik dhe njohuri të thelluara në rehabilitim psikiatrik spitalor, si dhe me aftësi moshore e fizike të përshtatshme për menaxhimin e axhitimit dhe riskut të lartë; Trajnimi i punonjësve aktualë; Vendosja e sistemit monitorues me kamera vëzhgimi në ambientet e përbashkëta të spitaleve psikiatrike; Krijimi apo rikonstruksioni i plotë të dhomave të izolimit, duke i kompletuar ato në përputhje me ligjet, rregulloret dhe manualet në fuqi; Pajisja e spitaleve me mjete të kufizimit mekanik; Ulja e mbipopullimit duke i dhënë zgjidhje problemit të trajtimit si rezidentë të personave me aftësi të kufizuar intelektuale në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, si dhe duke mundësuar trajtimin e personave abuzues me substancat narkotike apo/dhe alkoolin në reparte toksikologjie të përshtatshëm për këtë qëllim; Mundësimi i riorganizimit të pavijoneve të pacienteve akutë më vete; Përmirësimi i kushteve në pavijone, ngrohje, dushe dhe tualete në mënyrë që të ofrohet një shërbim sa më dinjitoz të personave që trajtohen në spitalet psikiatrike, si dhe sigurimin e bazës së nevojshme materiale për stafet psiko-sociale; Pajisja apo vënia në funksion të plotë të laboratoreve klinike bio-kimike si dhe të aparateve të EKG-së.
Raporti i inspektimit të institucioneve të përkujdesjes shëndetësore nga AP, ka për qëllim evidentimin dhe pasqyrimin e problematikave që lidhen ndër të tjera me zbatimin e legjislacionit dhe nivelin e ofrimit të shërbimeve të përkujdesjes shëndetësore.
Gjatë muajit Mars 2018, bazuar në programin e inspektimit, grupi i punës vendosi të inspektojë 5 tipe institucionesh të përkujdesjes shëndetësore në qytetin e Tiranës dhe konkretisht:
Urgjenca Kombëtare Mjekësore;
Urgjenca e Spitalit të Traumës;
Urgjenca e Pediatrisë në QSUT;
Urgjenca e Poliklinikës nr.3;
Urgjenca e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi
Në përfundim të inspektimeve të sipërpërmendura, Institucioni i Avokatit të Popullit doli me këto konkluzione dhe rekomandime.
Ka Mungesë të një Strategjie të mirëfilltë për zhvillimin e shërbimit të urgjencës mjekësore
Ka mungesë mbikëqyrje nga ana e MSHMS të punës së kryer deri tani në zbatimin e ligjit të UM, në të gjitha nivelet dhe shërbimet ku shtrihet kjo urgjencë.
Ka mungesë koordinimi të shërbimit në rang vendi si dhe shërbimi nuk është i shtrirë sipas ligjit në gjithë territorin e RSH.
Ka mungesa të urdhrave dhe protokolleve mjekësore; ka mungesë të një strukture përgjegjëse brenda MSHMS për UM dhe koordinimin e marrëdhënieve me QKUM.
Mungon miratimi i urdhrave të MSHMS lidhur me certifikimin e profesioneve të urgjencës mjekësore.
Ministria e Arsimit duhet të ndërhyjë në kurikulat universitare dhe duhet të ketë qendër formimi (trajnimi), specifikisht për personelin e urgjencës mjekësore në nivel kombëtar.
Duhet të këtë fond financiar të posacëm për sigurimin e bazës materiale për urgjencën mjekësore.
Nga 2 helikopter vetëm njëri është i pajisur sipas standardeve, për të cilin nuk ka personel dhe janë në ngarkim të Ministrisë së Mbrojtjes. Për këtë mendoj që QKUM duhet të ketë strukturë autonome. Kjo pasi Ministria e Mbrojtjes ka komandimin e helikopterëve dhe si rrjedhojë sjell pengesa për rastet e urgjencës.
Nuk operohet me regjistrin kombëtar të urgjencave megjithëse VKM-ja 735/2016 rregullon dhe përcakton këtë funksionim.
Nuk ka raportim periodik të strukturave private pranë QKUM, lidhur me rastet e trajtimit të Urgjencave mjekësore në zbatim të nenit 5 të ligjit 147/2014.
Gjithashtu ka mbivendosje të ligjit të urgjencës mjekësore me atë të spitaleve, si dhe nuk ka më drejtori spitalore (pas riorganizimit të ministrisë shëndetësisë), çka do të thotë që ka një ngërç me organizimin.
Duhet shtim i fondeve për shërbimin e Urgjencës së Traumës.
Duhet që fondet për Sptalin e Traumës të kalojnë nëpërmjet Ministrisë së Shëndetesise dhe Mbrojtjes Sociale dhe jo nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes siç është aktualisht.
Duhet shtim i Autoambulancave me pajisje moderne dhe dinjitoze për ofrim me standart të shërbimit të urgjencës pasi ekzistueset janë te vjetra dhe të pakompletuara.
Duhet rritje të numrit organik të personelit të mesëm kryesisht, për kujdes ndaj pacienteve sipas standardeve të kërkuara “1 infermier për tre pacientë minimumi”.
Ka nevoja për blerjen e autoambulancave të reja për shërbimin e urgjencës mjekësore në Spitalin Universitar Shefqet Ndroqi, Tiranë.
Shërbimet duhet të jenë pjesë e urgjencave në të gjitha nivelet për një organizim sa më të mirë të punës së përbashkët në shërbim të pacientëve.
Marrjen e masave nga Ministria e Shëndetësisë për ndërtimin e një Spitali për qytetin e Tiranës pasi fluksi dhe mbingarkesa në Urgjencën Pediatrike nuk i lejon asaj kryerjen e funksionit për të cilin është ndërtuar, atë të urgjencës në shërbim të fëmijëve.
Marrjen e masave për unifikimin e moshës së pranimit të fëmijëve në Urgjencë.
Marrjen e masave për koordinimin me QKUM jo vetëm për rastet e urgjencës të sjella në Urgjencën Pediatrike.
Marrjen e masave për përfundimin e procesit të draftimit të projekt-ligjit për mbrojtjen e mjekëve në gjykatë nga ana e institucionit shëndetësor kur konfliktet vijnë për shkak të detyrës.
Marrjen e masave për miratimin e protokolleve mjekësore për urgjencën mjekësore me urdhër të ministrit në të gjitha nivelet e shërbimeve sic parashikon ligji 147/2014.
Marrjen e masave për informimin e institucioneve lidhur me kompetencat që çdo institucion spitalor duhet të ketë në ofrimin e shërbimit të urgjencës mjekësore.
Si përfundim, dua të tërheq vëmendjen e të gjithë të pranishmëve, se të dhënat dhe rekomandimet e përpiluara më sipër, nuk janë thjesht një punë rutinore e cila pasi draftohet dhe dokumentohet, konsiderohet si çështje e mbyllur. Po flasim për shëndetin. Po flasim për një nga çështjet më të rëndësishme të jetës së njerëzve. Dhe jam e sigurt se biem të gjithë dakord, se lufta jonë e përbashkët për të mos u mjaftuar vetëm me konstatime në këtë çështje që prek cilësinë e jetës së kujtdo prej nesh, prej njerëzve tanë të dashur, miqve, prindërve e fëmijëve, nuk duhet të rreshtë asnjë ditë.
Ju faleminderit.