Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Tryezën Mbi Hartimin E Strategjisë Ndërsektoriale Të Drejtësisë 2024-2030
Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca adresoi sot disa çështje të cilat i konsideroi me rëndësi madhore, në takimin e organizuar nga Ministria e Drejtësisë lidhur me fillimin e Hartimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030 dhe prezantimi i Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës.
Znj. Ballanca theksoi se ka një nevojë për të pasur sot e në vijim një qasje më proaktive në perceptimin e të drejtave të reja dhe një garantim më efektiv të të drejtave të njeriut në vend.
"Institucioni i Avokatit të Popullit ka të paktën tre vite që i kërkon Kuvendit që të miratojë si një dokument shtesë paraprak, Kartën Themelore të të Drejtave të Bashkimit Evropian. Përmirësimi i katalogut të këtyre të drejtave do ta avancojë Shqipërinë në lidhje me këtë çështje, përpara vitit 2030, që është edhe viti i pretenduar prej nesh për anëtarësimin", evidentoi Avokatja e Popullit
Gjithashtu Znj. Ballanca vuri në dukje se pa vëmendje nuk duhet lënë edhe një nga temat kryesore të trajtuara nga Avokati i Popullit, sikurse të drejtat e personave të cilët janë me masë mjekësore në sisitemin penitenciar.
Çështjet e lartpërmendura, sikurse theksoi Avokatja e Popullit janë dy tematika madhore të cilat duhet të adresohen nga Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024-2030, për të pasur një përmirësim të tyre.