30 Prill 2024

Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Takimin Me Temë “Dhuna Psikologjike Dhe Digjitale Kundër Grave Dhe Vajzave”


Avokatja e Popullit merr pjesë në takimin me temë “Dhuna psikologjike dhe digjitale kundër grave dhe vajzave”

“Dhuna psikologjike dhe digjitale kundër grave dhe vajzave”, ishte tema e tryezës së diskutimit, të ndërmarrë në Kuvendin e Shqipërisë, nga Raporterja e Përgjithshme për dhunën ndaj grave të Asamblesë së Këshillit të Evropës, znj. Etilda Gjonaj.

 

 

Përfaqësues në këtë tryezë, përveçse drejtuesve të institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare, ishin edhe gjyqtarë dhe prokurorë të cilën ndanë eksperiencën e tyre, duke evidentuar problematikat përkatëse që lidhen me këtë çështje.

 

 

Avokatja e Popullit e cilësoi të rëndësishme prezencën e gjyqtarëve dhe prokurërove në të tilla takime, duke theksuar se ata duhet të jenë pjesë në tryezat e diskutimit dhe aktiviteteve përmbajtësore.

 

 

“Jam shumë e gëzuar për një fakt, që ne dëgjuam se çfarë thonë prokuroria dhe gjyqësori, që janë dy nga strukturat më të rëndësishme për zbatimin efektiv të atyre që bëjnë ligjbërësit, apo edhe të atyre që ne si institucione të pavarura promovojmë. Nga njëra anë është ligjbërja dhe promovimi i standardeve më të larta të të drejtave të njeriut dhe nga ana tjetër është zbatimi efektiv i tyre. Çdo gjë e përmendur në këtë takim ishte konkrete, specifike, e argumentuar dhe na çon realisht në një zgjidhje të problematikave”, u shpreh Avokatja e Popullit.

 

 

Znj. Ballanca theksoi nevojën e aktiviteteve të ngjashme, për të sjellë së bashku sa më shumë aktorë dhe për të kuptuar realisht se cilat janë problematikat apo edhe punët e mira që janë bërë.

 

 

“Sigurisht që politikbërja është një pjesë e rëndësishme, sikurse garantimi i të drejtave të njeriut dhe zbatimi i politikave të standardeve ndërkombëtare janë pjesë e institucioneve të pavarura. Por ndërkohë, zbatimi efektiv i këtyre të drejtave duhet të shikohet në prokurori, në gjykatë dhe sigurisht edhe në polici”, theksoi znj. Ballanca