Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Konferencën E Ganhri-T Në Gjenevë
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca po merr pjesë në Konferencën e Aleancës Globale të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (GANHRI), e cila mbahet në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës.
Në këtë aktivitet Avokatja e Popullit shoqërohet nga Komisionerja e Seksionit të Përgjithshëm pranë Avokatit të Popullit, Vilma Shurdha.
Konferenca e këtij viti shënon 30-vjetorin e miratimit të Parimeve të Parisit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe themelimit të një rrjeti mbarëbotëror të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, i njohur sot si Aleanca Globale e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Ky vit shënon gjithashtu 75-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe 30-vjetorin e Deklaratës së Vjenës dhe Programit të Veprimit, të cilat sigurojnë themelin për punën e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut në të gjitha rajonet.
Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut në të gjithë globin, dhe GANHRI si zëri i tyre kolektiv, luajnë një rol jetik dhe konstruktiv në adresimin e ndikimeve të të drejtave të njeriut në krizën komplekse dhe të shumëfishtë të ditëve tona.
Konferenca po synon të sjellë një reflektim të ri mbi gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut dhe identifikimin e sfidave, prioriteteve e mundësive. Ajo po ashtu ka për qëllim të krijojë kushtet për reflektime të reja mbi rëndësinë e Deklaratës Universale dhe Parimeve të Parisit në kontekstin e sotëm.
Vendet pjesëmarrëse në Konferencë, paraqesin gjatë punimeve të saj përvojat dhe kontributet e tyre në mbrojtjen e të drejtave të njerëzve, si individualisht ashtu edhe në bashkëpunim me homologët e tyre përmes GANHRI-t.