16 Mars 2018

Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Forumin Rajonal Të Sundimit Të Ligjit Në Europën Juglindore


AVOKATJA E POPULLIT MERR PJESË NË FORUMIN RAJONAL TË SUNDIMIT TË LIGJIT NË EUROPËN JUGLINDORE

 

Në Shkup të Maqedonisë po mban sot punimet Forumi vjetor rajonal mbi Sundimin e Ligjit në Europën Juglindore.

Në takimin e nivelit të lartë merr pjesë edhe një delegacion i Institucionit të Avokatit të Popullit të Shqipërisë, i kryesuar nga avokatja znj. Erinda Ballanca.

Pjesëmarrës në këtë forum janë përveç kryeministrit të Maqedonisë, drejtues rajonalë të zyrave të Ombudsman-it, ministra, diplomatë, përfaqësues ligjorë të institucioneve të drejtësisë europiane, përfaqësues të OJF-ve, ekspertë të mirënjohur ligjorë, etj.

Fokusi i punimeve të forumit është i përqendruar tek sfidat që lidhen me torturën dhe keqtrajtimin në institucionet e vuajtjes së dënimit, ndalimi i torturës dhe trajtimeve çnjerëzore e poshtëruese, praktikat e gjykatave europiane në zgjidhjen e këtyre problematikave etj.

Shqipëria është pjesë aktive e këtij forumi përmes Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës si pjesë e Institucionit të Avokatit të Popullit.