6 Mars 2019

Avokatja E Popullit Erinda Ballanca Merr Pjesë Në Takimin Vjetor Të Aleancës Globale Të Institucioneve Kombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut


AVOKATJA E POPULLIT ERINDA BALLANCA MERR PJESË NË TAKIMIN VJETOR TË ALEANCËS GLOBALE TË INSTITUCIONEVE KOMBËTARE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT

Avokatja e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca, mori pjesë në takimin vjetor të Aleancës Globale të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (GANHRI) i cili u mbajt në Gjenevë të Zvicrës mes datave 4-6 mars.

Më shumë se 200 përfaqësues nga institucione të të drejtave të njeriut të cilat operojnë në vende të ndryshme të botës ishin pjesëmarrës në këtë konferencë.

Në Republikën e Shqipërisë, institucioni i Avokatit të Popullit është institucioni më i lartë kombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në kuadrin e sesionit të 63-të të Komisionit mbi Statusin e Gruas, GANHRI ka përgatitur një raport mbi rolin e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut në parandalimin dhe eleminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Avokatja e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca, ka trajtuar në këtë kuadër, çështje që lidhen me avancimin e të drejtave të gruas në Shqipëri dhe luftën për barazi që institucione dhe veprimtarë të kësaj kauze zhvillojnë në vendin tonë.

Pasi ka përmendur avancimet dhe pengesat që barazia gjinore ka njohur në Shqipëri, Avokatja Ballanca ka theksuar se:

“Përtej shifrave, ajo çka një rëndësi të jashtëzakonshme kur flasim për të drejtat e gruas ka edukimi dhe kultivimi i një kulture normaliteti.

Nuk po flas këtu për kulturën si një veprimtari singular dhe private të kryer në vetminë e vetëdijësimit. Po flas për kulturën si një mjet i inteligjencës sonë kolektive që shërben për të çrrënjosur pikëpamje kolektive të shtrembëruara, të gabuara e të përthyera të realitetit.

Në vendin tim për shembull, pjesë e këtyre pikëpamjeve të shtrembëruara është bindja kolektive se gratë në detyra publike duhet t’I përkasin me patjetër një tjetër lloji nga gratë e zakonshme. Se ato janë të forta ndërkohë që nga natyra gratë duhet të jenë të buta. Se për t’u kualifikuar për një post publik ato duhet të heqin dorë nga “femërorja” për t’ju qasur më pranë cilësive avantazhuese të burrave. Ç’femërizimi i fruas shpesh pranohet për normalizim të saj brenda një klubi me anëtarësi ekskluzive, i cili pavarësisht perceptimit të tij si burrërisht të ashpër, të fortë dhe të pashpirt, konsiderohet padrejtësisht si normalja e stabilizuar.

E kam përjetuar në vetë të parë, të drejtuar mbi veten time që në momentin kur pranova drejtimin e zyrës publike të Avokatit të Popullit në Shqipëri, saktësisht të njëjtën qasje nga ana e shoqërisë, medias e shpesh edhe nga kolegë drejtues institucionesh publike. Dhe kjo është arsyeja pse dua të theksoj rëndësinë e madhe e të pafundme e të punuarit për krijimin e një kulture normaliteti, e cila nuk kërkon prej grave në detyra publike të performojnë si të ishin super-gra të etura për të konfirmuar karakteristikat e tyre jo-femërore. Ky është momenti për të punuar për një kulturë të re, e cila lyp qënie normale njerëzore, gra normale të cilave askush s’u kërkon të performojnë si të forta për të qenë të denja për një pozicion, por edhe për burra normalë gjithashtu”.