Avokatja E Popullit Erinda Ballanca Adreson Kombet E Bashkuara Në Emër Të Rrjetit Europian Të Institucioneve Kombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut (Ennhri)
Duke adresuar Forumin Rajonal të UN ECE në mbyllje të punimeve, në sesionin me temë “Bashkimi i pikave: Avancimi drejt fuqizimit, përfshirjes dhe barazisë në rajon”, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca u shpreh se po sillte një mesazh në emër të të drejtave njerëzore në këtë forum duke vënë në dukje kontributin e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut në kuadrin e Objektivave Globalë të OKB-së.
Në cilësinë e anëtares së bordit të Rrjetit Europian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (European Network of Human Rights Institutions - ENNHRI), i cili grupon 44 institucione të tilla nga radhët e vendeve të Këshillit të Europës, Avokatja e Popullit të Shqipërisë ka folur për nevojën përherë e më të madhe që zëri i këtyre institucioneve të dëgjohet më fort nga të gjithë.
“Në kontekstin ku hapësira demokratike në Europë po pëson rrudhje, roli ndërlidhës i Institucioneve të të Drejtave të Njeriut mes shtetit dhe shoqërisë civile është i një rëndësie në rritje e sipër”, u shpreh Avokatja Ballanca.
“ENNHRI u bën thirrje autoriteteve kryesore shtetërore që t’i angazhojnë Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut më ngushtë në proceset e realizimit të Objektivave Globalë, në konsultimet dhe planet e angazhimit dhe t’i përfshijnë këto institucione në përgatitjen dhe ndjekjen e Raporteve Vullnetare Kombëtare”, u shpreh Avokatja e Popullit.