Avokati I Popullit Zbardh Dinamikën E Hetimeve Mbi Protestat Dhe Shoqërimin E Banorëve Të Unazës Së Re Nga Policia
Ndërkohë që situata midis banorëve të një segmenti të Unazës së Re në Tiranë dhe autoriteteve shtetërore vazhdon të mbetet e tensionuar, Institucioni i Avokatit të Popullit informon se strukturat e tij e kanë ndjekur protestën në vijimësi duke kryer monitorim hap pas hapi.
Duke nisur në mënyrë kronologjike që nga dita e parë, Avokati i Popullit ka konstatuar se protestat e banorëve janë zhvilluar në mënyrë të qetë dhe nuk ka pasur incidente, ndërkohë që Policia ka ndjekur nga distanca zhvillimet.
Situata ka nisur të përshkallëzohet pas datave21-22 nëntor, me episodet e protestave përpara godinës së Bashkisë së Tiranës dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Sikurse është njoftuar opinioni publik, më datë 22.11.2018 Avokati i Popullit ka nisur një hetim për të zbuluar nëse nga ana e autoriteteve shtetërore ka pasur tejkalim të kompetencave gjatë përplasjeve të dhunshme me qytetarët përpara godinës së Kuvendit.
Ky hetim, iu shtua hetimit të nisur prej të paktën dy javësh më herët, me anë të të cilit institucioni i Avokatit të Popullit kërkon përgjigje nga institucionet e ARRSH-së, IKMT-së, ALUIZN-it e Bashkisë së Tiranës në lidhje me procedurat e ndjekura për hartimin e projektit të zgjerimit të Unazës së Re dhe zbatimit të tij.
Për t’u ndalur tek protestat e dhunshme që pasuan përplasjet mes policisë dhe banorëve, Avokati i Popullit ka ngritur me shpejtësi një ekip të përbërë nga tre komisionerë i cili, në një distancë prej pak orësh nga dalja e informacioneve për shoqërimin e një numri protestuesish, është dërguar për inspektim në komisariatet ku mbaheshin ata.
Në datën 22.11.2018, në orët e darkës, janë pyetur pa praninë e punonjësve të policisë të 11 personat e shoqëruar apo arrestuar që gjendeshin në këto ambiente, nga të cilët tre prej tyre i dhanë shpjegimet me shkrim në proceverbalet e mbajtura.
Një pjesë e këtyre personave ishin shoqëruar pas mesditës rreth orës 12.30-13-00, ndërsa një pjesë tjetër pasdreke nga ora 14.30-17.00. Edhe pse rregullorja e thotë se të ndaluarit duhet të vizitohen nga një mjek brenda 12 orëve nga momenti i shoqërimit, asnjë prej tyre nuk shfaqi probleme shëndetësore apo pretendime për dhunë.
Në kontaktin e parë, i mituri P.A. nuk ka pranuar të japë informacion duke u shprehur se fillimisht dëshironte të këshillohej me avokatin e tij.
Institucioni ka kontaktuar gjithashtu avokatët e dy personave të mitur me inicialet P.A. dhe D.D. dhe pas sqarimeve të nevojshme ka dërguar për herë të dytë 2 ndihmëskomisionerë për të kontaktuar me të miturin P.A. si dhe për të vendosur kontakt me të ndaluarin tjetër të mitur D.D., i cili ishte arrestuar një ditë më vonë.
Sikurse raportohet në procesverbalin e rregullt të mbajtur gjatë takimeve të personelit të Avokatit të Popullit me këta dy persona, gjendja në të cilën ata janë shfaqur ka qenë përgjithësisht e mirë ndërkohë që të dy kanë raportuar për episode të dhunës psikologjike dhe fizike, të ushtruar ndaj tyre kryesisht jashtë godinës së komisariatit por edhe gjatë shoqërimit për në komisariat.
shtetasi D.D.,i cili ishte ndaluar në datën 23.11.2018, deklaroi se, në datën 22.11.2018 kishte marrë pjesë në protestë sepse edhe familja e tij prekej nga projekti i Unazës së Re. Pasi ka mbaruar protesta, rreth orës 12:15, në afërsi të Hotel “Plaza” ishte rrethuar nga një grup policësh civilë të cilët e kanë dhunuar atë duke e goditur me shqelma në pjesën e të ndenjurave dhe në gishtat e dorës së djathtë. Sipas tij, nga goditja e marrë i ishin shembur dy gishta të dorës së djathtë, ai tregues dhe i mesit. Me ndërhyrjen e disa protestuesve ai ka mundur t’u shpëtojë policëve dhe pasi ka hipur në një taksi është larguar dhe është fshehur për 24 orë. Gjithashtu ai pretendoi se në momentin që ishte kapur nga punonjësit e policisë tek Qendra tregtare “Globe” ishte goditur me shqelm në brinjën e djathtë nga një polic civil. Sipas tij, edhe gjatë rrugës në makinën e policisë dhe në momentin që e kanë zbritur nga automjeti në oborrin e DVP Tiranë ishte dhunuar nga policiët duke u goditur me grushta dhe shpulla në kokë e në trup, por sipas tij nuk kishte asnjë gjurmë të dukshme për shkak të profesionalizmit të tyre.
Grupi i inspektimit të Avokatit të Popullit ka konstatuar se përveç shenjave të një lëndimi të dukshëm në dorën e të miturit D.D. nuk ka pasur raportim tjetër prej dy të miturve për ndonjë shenjë tjetër të dukshme në trup. Janë verifikuar regjistrat mjekësorë dhe është vërtetuar se vizita mjekësore e të miturve është kryer me një vonesë prej dy orësh.
Në këto kushte, pasi janë përpiluar procesverbalet të cilat janë nënshkruar prej të miturve të ndaluar, është vazhduar me hetimin. Për të bërë një hetim administrativ të plotë, objektiv dhe profesional nga Avokati i Popullit në datën 27.11.2018 i është bërë kërkesë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë për ekspertimin mjekoligjor të të dy shtetasve P.A. dhe D.D.
Ndërkohë po në datën 27.11.2018 i është bërë një kërkesë DVP Tiranë për dërgimin e një CD-je me pamjet filmike të regjistruara nga sistemi i monitorimit të DVP Tiranë, duke përfshirë edhe filmimet në oborrin dhe korridorin e godinës së këtij organi.
Përveç sa më sipër, nga ekspertët e AP do të pyeten i ati i shtetasit D,D. dhe punonjësit e policisë që kanë bërë shoqërimin e shtetasit D.D. në DVP Tiranë. Dhe pas këqyrjes së CD me pamjet filmike do të identifikohen dhe pyeten edhe punonjësit e policisë që mund të kenë ushtruar dhunë ndaj personave të cituar më sipër.
Institucioni i Avokatit të Popullit është i vendosur për ta hetuar me paanësi, profesionalizëm dhe korrektësi të gjithë dinamikën e ngjarjeve të lidhura me çështjen e projektit të Unazës së Re, përfshi këtu edhe sjelljen e autoriteteve shtetërore ndaj qytetarëve që e kundërshtojnë duke protestuar këtë projekt.
Në gjykimin e Avokatit të Popullit, çdo e drejtë duhet të ushtrohet në përputhje me ligjin dhe frymën e tij. Sidomos në lidhje me të drejtën për tubime, ligji u kërkon qytetarëve që të kryejnë njoftimin paraprak në organet e Policisë në mënyrë që të garantohet kjo e drejtë e tyre.
Por ndërkohë, asnjë teprim apo abuzim i zyrtarëve që janë të ngarkuar për të zbatuar ligjin nuk do të mbetet pa u hetuar në mënyrë të imtësishme dhe pa u referuar. Të drejtat civile të qytetarëve tanë janë të shenjta dhe garantimi i tyre përkarshi çdo justifikimi me karakter zhvillimor apo të çdo lloji tjetër, është i panegociueshëm.