17 Shtator 2018

Avokati I Popullit Uron Nxenesit, Mesuesit Dhe Prinderit Ne Diten E Pare Te Shkolles


AVOKATI I POPULLIT URON NXENESIT, MESUESIT DHE PRINDERIT NE DITEN E PARE TE SHKOLLES

 

Me rastin e ditës së parë të shkollës, Avokati i Popullit u uron suksese të gjithë nxënësve dhe arsimtarëve në vendin tonë.

Arsimi është një e drejtë themelore e njerëzve, ndaj Avokati i Popullit çmon se shoqëria jonë dhe instrumentet e saj vendimmarrëse duhet të bëjnë çmos që pavarësisht vështirësive financiare, sistemi ynë edukativ të jetë jo thjesht ekzistent, por edhe cilësor.

Shkolla më të shumta e më të pajisura, stafe mësimore të mjaftueshme e të shpërblyera, tekste e kurrikula të dobishme jo thjesht për të formuar performues për dëshirat imediate të tregut por edhe qytetarë pë nevojat afatgjata të shoqërisë, këto duhet të jenë kryefjala e përpjekjeve tona kombëtare për përparim e zhvillim.

Arsim cilësor për të gjithë, kudo e në çdo kohë, pavarësisht statusit social, etnisë, racës, orientimeve e çdo dallimi tjetër nga "norma". Gjithashtu Avokati i Popullit bën thirrje për të mos harruar fëmijët e ngujuar si pasojë e gjakmarrjes, të cilët sot nuk kanë mundësi si çdo nxënës tjetër të shkojnë në shkollë.

Sado i kushtueshëm të jetë garantimi i një sistemi cilësor arsimor, Avokati i Popullit gjykon se për të ia vlen çdo sakrificë, pasi shoqërisë i kushton më shumë në terma afatgjatë injoranca apo arsimimi i mangët e i cekët.

Investimi tek të rinjtë është investimi më i sigurt për të ardhmen që mund të bëjë jo vetëm shteti por edhe shoqëria.

Edhe një herë, urimi i institucionit të Avokatit të Popullit shkon për të gjithë nxënësit, mësuesit e prindërit në këtë ditë të parë të shkollës.