Avokati I Popullit Shënjon Ditën Ndërkombëtare Të Romëve

Në këtë 8 Prill, Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Institucioni i Avokatit të Popullit përcjell urimet më të mira për të gjithë anëtarët e komunitetit rom në Shqipëri dhe në mbarë botën.
Njohja e komunitetit rom me statusin e pakicës kombëtare në Shqipëri përbën një arritje të rëndësishme për afirmimin dhe garantimin e të drejtave të këtij komuniteti. Ky status përforcon detyrimin institucional për mbrojtjen e identitetit dhe pjesëmarrjes së barabartë të romëve në jetën publike dhe shoqërore të vendit.
Megjithatë, përballja me sfida të thella vijon. Pabarazia në qasjen ndaj arsimit, strehimit, punësimit, shërbimeve shëndetësore, regjistrimit civil dhe përfaqësimit politik kërkon veprim të qëndrueshëm dhe përkushtim të vërtetë nga të gjitha nivelet e qeverisjes.
Avokati i Popullit rithekson se të drejtat e njeriut nuk janë privilegje, por garanci që shteti duhet t’i ofrojë çdo qytetari, pavarësisht prejardhjes etnike apo statusit social. Ky institucion mbetet i angazhuar për të monitoruar zbatimin e standardeve të barazisë, përfshirjes dhe mosdiskriminimit, duke kërkuar zgjidhje konkrete dhe duke mbështetur zërin e atyre që shpesh mbeten në heshtje.