3 Shkurt 2023

Avokati I Popullit Rekomandon Përmirësimin E Infrastrukturës Së Ambienteve Të Privimit Të Lirisë


AVOKATI I POPULLIT REKOMANDON PËRMIRËSIMIN E INFRASTRUKTURËS SË AMBIENTEVE TË PRIVIMIT TË LIRISË

Avokati i Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për parandalimin e torturës (MKPT), nisur nga kryerja e inspektimeve periodike në ambientet e privimit të lirisë së personit (dhoma shoqërimi dhe dhoma sigurie), si dhe nga trajtimi i një numri të konsiderueshëm të ankesave të shtetasve drejtuar institucionit, evidenton kohë pas kohe raste shoqërimesh të paligjshme apo mbajtje në gjendje shoqërimi tej afatit ligjor; për keqtrajtime fizike ose psikologjike në momentet e arrestimit, shoqërimit apo gjatë marrjes në pyetje të shtetasve në organet e policisë; për arrestime apo ndalime të paligjshme; për kushte të pa përshtatshme të ambienteve të shoqërimit, etj.

Ka një shqetësim të vazhdueshëm se brenda ambienteve të komisariateve ushtrohet dhunë psikologjike dhe se në raste të veçanta ka edhe pretendime për ushtrim dhune fizike. Avokati i Popullit i ka hetuar në vijimësi këto pretendime apo shqetësime publike dhe ka bërë rekomandimet përkatëse kur ka gjetur prova që demostrojnë përdorimin e forcës tej limiteve të lejuara që në raste sporadike edhe dhunë fizike.

Një nga problematikat e evidentuara dhe që kërkon një vëmendje më të shtuar nga strukturat përgjegjëse për rendin dhe sigurinë në DPSH, është mos-plotësimi i detyrimit ligjor nga organet e policisë në nivel qëndror dhe vendor, për ndërtimin dhe pajisjen me orenditë e teknologjinë e duhur mbikëqyrëse të dhomave të intervistimit/marrjes në pyetje të personit në cilësinë e të shoqëruarit, të arrestuarit apo të ndaluarit, brenda mjediseve të Policisë së Shtetit.

Nisur nga këto problematika, së fundi Avokati i Popullit ka përpiluar një rekomandim, në të cilin kërkon marrjen e masave të nevojshme dhe të domosdoshme, për krijimin (ndërtimin) sa më parë brenda sistemit të dhomave të shoqërimit dhe të sigurisë të DVP/Komisariateve të policisë në të gjithë vendin, të dhomave më vehte për intervistimin apo marrjen në pyetje të personave të shoqëruar, arrestuar apo të ndaluar në mjediset e Policisë së Shtetit, të plotësuara me orenditë e nevojshme dhe të monitoruara me sistemin e kamerave audio-vizive, si një element parësor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, pasi ka efekt parandalues për kryerjen e veprave të dhunshme dhe të dënueshme, si nga ana e të shoqëruarve, ndaluarve apo arrestuarve, ashtu dhe nga vetë punonjësit e Policisë së Shtetit.

Po ashtu Avokati i Popullit ka rekomanduar marrjen e menjëhershme të masave, që në projektet për përmirësimet e reja infrastrukturore në komisariate të ndryshme, të parashikohet në të tëra rastet dhoma e intervistimit si në dhomat e shoqërimit, ashtu edhe në ato të sigurisë.