Avokati I Popullit Përpilon Raport Të Veçantë Për Pensionin Ushqimor Të Fëmijëve
Avokati i Popullit ka hartuar së fundi raportin e veçantë “Politikat e pensionit ushqimor, detyrimit për ushqim, për fëmijët”.
Raporti është realizuar nga Avokati i Popullit, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet institucionit të Avokatit të Popullit dhe organizatës jo-qeveritare “Save the Children”.
Raporti është hartuar bazuar në rastet e trajtuara nga institucioni i Avokatit të Popullit, nisur nga përcaktimi i masës së ulët të pensionit ushqimor, si një faktor që ndikon në garantimin e një zhvillimi të shëndetshëm fizik, mendor, moral, shpirtëror e social, si dhe gëzimin e një jetese të shëndetshme e pa privime në interesin më të lartë të fëmijës.
Gjithashtu, raporti ka vlerësuar rrethanat e marrjes së vendimeve nga ana e organeve të gjyqësorit, për caktimin e masës së detyrimit ushqimor në rastet e divorcit, duke ndjekur një rend kronologjik dhe analizuar vendimet e marra nga institucionet e drejtësisë, rast pas rasti, ekzekutimin e këtyre vendimeve, si dhe ndikimet që kanë patur ato në gëzimin e një jetese të shëndetshme e pa privime në interesin më të lartë të fëmijës në përputhje me kuadrin ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar.