3 Dhjetor 2018

Avokati I Popullit Përkujton 3 Dhjetorin,Ditën Ndërkombëtare Për Personat Me Aftësi Të Kufizuar


Avokati i Popullit përkujton 3 Dhjetorin,ditën ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuar

 

Avokati i Popullit, në përmbushje të detyrave kushtetuese, si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe nxitës i standardeve më të larta të këtyre të drejtave, me rastin e 3 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar sjell në vëmendjen e institucioneve shtetërore, qëndrore dhe vendore, nevojën për angazhim më të madh dhe prioritizim të problematikave me të cilat ndeshen personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë.

Mungesa e aksesit në ambjente publike dhe private, në marrjen e infomacionit, aksesit në drejtësi, moszbatimi i dispozitave ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, moszbatimi i rimbursimit të biletës në transportin urban, janë disa nga problematikat që ka ndeshur kjo kategori. Për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara është domosdoshmëri asistenca e mësuesve ndihmës, por edhe e mjeteve didaktike të posaçme.

Institucioni i Avokatit të Popullit, u ka kërkuar vazhdimisht të gjithë strukturave shtetërore të angazhohen maksimalisht e të kenë prioritet çështjen e personave me aftësi të kufizuara, pasi ato mbeten ndër shtresat më të margjinalizuara në shoqërinë shqiptare.

Nxitja e pjesëmarrjes aktive të vetë personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësuesve të tyre, në të gjithë proceset e hartimit dhe zbatimit të legjislacionit dhe të politikave sociale bashkëkohore, duhet t’i shërbejë përgatitjes së personave me aftësi të kufizuara për një jetesë të pavarur dhe me dinjitet.

Kujtojmë se të drejtat ligjore nuk duhet të jenë vetëm deklarative, por duhet të gjejnë zbatimin efektiv në realitet. Theksojmë se: Aftësia e kufizuar nuk vjen vetëm si rezultat i dëmtimit fizik , shqisor, apo intelektual, por edhe nga mjedisi që, në kompleksitet, bëhet barrierë për ta.

Të vijojmë të promovojmë, nxisim dhe zbatojmë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar “...duke pranuar se, aftësia e kufizuar është një koncept që evoluon dhe se aftësia e kufizuar rezulton nga ndërveprimi ndërmjet personave me aftësi të kufizuar dhe barrierave të qëndrimit/mentalitetit dhe ambjentit që pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri në bazë të barabartë me të tjerët ”.

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara janë jo vetëm të drejta natyrore të tyre, por respektimi i tyre në praktikë është një tregues emancipimi dhe zhvillimi i shoqërisë shqiptare.