6 Shtator 2018

Avokati I Popullit Organizon Veprimtari Promovuese Me Rastin E Dites Se Shenjterimit Te Nene Terezes


AVOKATI I POPULLIT ORGANIZON VEPRIMTARI PROMOVUESE ME RASTIN E DITES SE SHENJTERIMIT TE NENE TEREZES

 

Me rastin e Ditës së Shenjtërimit të Nënë Terezës, Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me Ambasadën e Polonisë në Tiranë, zhvilluan sot veprimtarinë promovuese “Së bashku në emër të Dashurisë”, aktivitet i cili u organizua në mjediset e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Pjesëmarrës në veprimtari, përveç Avokates së Popullit Erinda Ballanca në cilësinë e institucionit organizator, ishin edhe përfaqësues nga UNICEF, Komisioneri anti-Diskriminim, Kisha Katolike, shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve si dhe Ambasada e Polonisë në Tiranë.

Nën shenjën e vlerave të paçmueshme të vullnetarizmit, bamirësisë dhe punës së kryer në dobi të njerëzve pa dallim moshe, gjinie a kombësie, ky aktivitet promovues me rastin e përkujtimit të ditës shenjtëruese të Nënë Terezës, u asociua edhe me përkujtimin e një tjetër personaliteti të bamirësisë, humanistit polak Janush Korçak, i cili sakrifikoi gjithçka, përfshi edhe jetën e tij, për fëmijët jetimë.

Gjatë veprimtarisë, u zhvillua edhe në ekspozitë në të cilën u paraqitën historitë e jetës dhe bamirësive të këtyre dy personaliteteve të dalluar, si dhe mesazhe të Nënë Terezës dhe Janush Korçakut rreth fëmijëve.

Në fjalën e saj mirëseardhëse, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca u shpreh:

"Jam e nderuar t’ju uroj mirëseardhjen të gjithëve në këtë aktivitet, me këtë titull kaq kuptimplotë, “Në emër të dashurisë”.
Nuk ka arsye tjetër më të fortë se dashuria për t’I bërë njerëzit bashkë. Dhe njëkohësisht, fakti se ky aktivitet na ka bërë bashkë të gjithëve ne si pjesëmarrës është një provë se vërtet, dashuria si forcë përbashkuese funksionon.
Por sikur të mos mjaftojë gjithë ky përbashkim I yni në nderim të dashurisë, ky aktivitet bën bashkë sot edhe dy personalitete të mëdhenj. Një prej tyre, humanistja e madhe shqiptare Nënë Tereza dhe tjetri, Janush Korçak një figurë e jashtëzakonshme që nuk i përket vetëm atdheut të vet Polonisë mike, por gjithë botës.
Do të doja të flisja gjatë mbi forcën e dashurisë për njerëzit si një motivim për t’I bërë ëndrrat më të realizueshme, jetën më të jetueshme, fjalën më të kuptueshme dhe veprat më të dobishme.
Mirëpo përpara shembullit të madh të dy njerëzve të mëdhenj në modestinë e tyre, ndjehem sot kaq e pafuqishme për të dhënë mesazhe. Kurrgjë s’mund t’I shtohet veprës së shkëlqyer të këtyre dy kampionëve të dashurisë si Nënë Tereza jonë dhe Janush Korçak i Polonisë.
Institucioni i Avokatit të Popullit do të vazhdojë të mbështesë dhe të luftojë që qytetarët e këtij vendi të meritojnë një jetë me dinjitet. Këtë mund ta them me siguri. Dhe për të realizuar këtë mision, jemi të ndërgjegjshëm, nuk ka sesi të mjaftojë thjesht zbatimi I ftohtë institucional i detyrimit tonë ligjor për të marrë ankesa e përpiluar raporte e rekomandime. 
Mbi të gjitha, ajo çka kuptojmë nga aktivitete të tilla që na mbushin me frymëzim si ky I sotmi, për të çuar përpara kauza humane, nevojitet domosdoshmërisht një dozë e rëndësishme dashurie.
Faleminderit të gjithëve për vëmendjen!"