15 Mars 2019

Avokati I Popullit Organizon Tryezë Të Rrumbullakët Për Nxitjen E Bashkëpunimit Me Shoqërinë Civile


AVOKATI I POPULLIT ORGANIZON TRYEZË TË RRUMBULLAKËT PËR NXITJEN E BASHKËPUNIMIT ME SHOQËRINË CIVILE

Në kuadër të projektit të USAID-it “Transparenca në Sistemin Shëndetësor”, Avokati i Popullit organizoi në Tiranë Tavolinën e Rrumbullakët “Forcimi i bashkëpunimit të Avokatit të Popullit me shoqërinë civile nëpërmjet mekanizmave të qëndrueshëm - Praktika të mira dhe qasje”.
Qëllimi I Tavolinës ishte diskutimi me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e shëndetësisë të vizionit dhe praktikave të mira të Avokatit të Popullit në bashkëpunimin me shoqërinë civile, edhe në kuadrin e strategjisë institucionale 2018-2022.
Avokatja e Popullit, zj Erinda Ballanca, e cila përshëndeti Tryezën tha në fjalën e saj se: “Nxitja e Qeverisë nëpërmjet Avokatit të Popullit dhe organizatave të shoqërisë civile do ta çojë në një nivel tjetër ndjeshmërinë, përgjegjshmërinë dhe zgjidhjen e çështjeve për të cilat do të duhet ndërhyrja jonë”.

Në Tryezë u paraqitën disa hapa konkrete për ndërtimin e mekanizmave që sigurojnë një bashkëpunim të qëndrueshëm për të dy palët, si psh Marrëveshja e Bashkëpunimit me 4 prej organizatave të shoqërisë civile dhe përpjekjet për ngritjen e një Grupi Këshëllimor të Shoqërisë civile për çështjet e shëndetësisë pranë Avokatit të Popullit.
Projekti i USAID-it “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” është një projekt që ka si qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri për qytetarët shqiptarë me fokus luftën ndaj korrupsionit, përmirësimin e transparencës për funksionet qeveritare dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura qeveritare, organizatave të shoqërisë civile (OSHC) dhe medias, për të kërkuar një qeverisje më të përgjegjshme në sektorin shëndetësor.