Avokati I Popullit Nis Hetimin Administrativ Mbi Abuzimin Seksual Të Së Miturës Në Kavajë
Institucioni i Avokatit të Popullit, në datën 4.2.2019, për një shqyrtim sa më objektiv të ngjarjes së rëndë të ndodhur, për abuzimin seksual të të miturës, si dhe për të bërë të mundur kryerjen e misionit tonë kushtetues, mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të fëmijëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme apo të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj, ka nisur hetimin administrativ të çështjes në fjalë.
Nisur nga ndjeshmëria e ngjarjes, natyra dhe rrethanat e saj, hetimi administrativ kërkoi përfshirjen e një metodologjie shumëdimensionale, nisur që nga përbërja e grupit, ku janë caktuar juristë dhe punonjës socialë duke u udhëhequr nga parimet kryesore të paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizimit dhe pavarësisë.
Komponentët kryesorë të hetimit po fokusohen në:
1. Inspektimin në terren të të gjitha veprimeve të ndërrmarra ose jo nga institucionet përgjegjëse në nivel vendor, konkretisht nisur që nga;
- institucioni i edukimit, shkolla 9-vjeçare “Rilindja”,
- zyra arsimore e qytetit Kavajë;
- komisariati i policisë Kavajë;
- njësia për mbrojtjen e fëmijës, Bashkia Kavajë etj,.
- Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës
2. Vlerësimin dhe analizimin e saktë të informacionit, provave, dokumentacionit dhe deklaratave të vëna në dispozicion nga institucionet e lartëpërmendura veçmas për të vërtetuar veprimet ose mosveprimet e ndërmarra nga ana e tyre.
3. Vlerësimi i hollësishëm i të gjitha provave së bashku, për të marrë rezultatin tërësor të hetimit administrativ.
Inspektimi në terren ka përfunduar në të gjitha institucionet e lartpërmendura, ku janë zhvilluar intervistat me drejtuesit e këtyre institucioneve dhe tashmë të gjitha informacionet, provat, dokumentet dhe deklaratat do të vlerësohen dhe analizohen nëse veprimet ose mosveprimet e ketyre organeve të administratës publike kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjatë inspektimit të terren institucionet kanë bashkëpunuar dhe nuk kanë kanë treguar rezistencë ndaj institucionit tonë por është vërejtur që të gjithë punonjësit e institucioneve të përfshira në këtë proces kanë patur ngarkesa emocionle të dukshme si rezultat i ngjarjes së rëndë si dhe trajtimit mediatik të rastit.
Gjithashtu është konstatuar mungesa e bashkëpunimit ndërsektorial ndërmjet këtyre institucioneve, megjithatë ditën e djeshme kemi një reflektim të të gjithë aktorëve, ku është mbledhur grupi teknik ndërsektorial dhe kanë filluar me identifikimin e problematikave dhe hartimin e masave mbrojtese nga të gjithë aktorët.
Mungesa e bashkëpunimit vjen si rrjedhojë e mungesës së informacionit për format, mënyrat e bashkëpunimit që institucionet duhet të kishin ndërmjet tyre, të parashikuara tashmë në legjislacionin për mbrojtjen e fëmijës.
Si dhe, më e rëndësishmja është mungesa e informacionit për veprat penale dhe detyrimin për kallëzim të menjëhershëm.
Në vazhdimësi, theksojmë se rasti në fjalë po trajtohet me impenjimin e duhur dhe maksimal në zbatim të detyrimeve të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur nga Prokuror të Seksionit për të Mitur pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës