12 Janar 2023

Avokati I Popullit, Monitorim Për Mbrojtjen E Fëmijëve Në Raste Emergjencash Civile


AVOKATI I POPULLIT, MONITORIM PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE NË RASTE EMERGJENCASH CIVILE

Institucioni i Avokatit të Popullit me mbështetjen financiare të UNICEF-it, realizoi monitorimin e strukturave përgjegjëse në njësitë e qeverisjes vendore të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019, fokusuar në mbrojtjen e fëmijëve në situatat e emergjencës civile.

Procesi u përqëndrua në bashkitë më të prekura nga ky tërmet si Shijaku, Durrësi, Kruja, Tirana, Kamza, Kurbini dhe Lezha.

Qëllimi kryesor i monitorimit të këtyre bashkive konsistoi në evidentimin e problematikave në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të strukturave në nivel qendror dhe vendor dhe adresimin e rekomandimeve për përmirësimin e veprimeve të tyre, në situatat e gjendjes së fatkeqësive natyrore apo emergjencave civile, në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve dhe garantimit të të drejtave të tyre.

Për të finalizuar përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të administratës publike në nivel vendor, për të garantuar mbrojtjen dhe gëzimin e të drejtave të fëmijëve, të gjitha veprimet që duhet të ndërmarrin institucionet duhet të udhëhiqen nga parimet themelore të të drejtave të fëmijëve dhe në interesin më të lartë të tyre.