20 Shkurt 2023

Avokati I Popullit Kremton Ditën Botërore Të Drejtësisë Sociale


AVOKATI I POPULLIT KREMTON DITËN BOTËRORE TË DREJTËSISË SOCIALE

Avokati i Popullit i konsideron të drejtat sociale dhe ato ekonomike të qytetarëve si fondamentale për ngritjen e një shoqërie të drejtësisë dhe barazisë.

Në Ditën Botërore të Drejtësisë Shoqërore, Avokati i Popullit ndalet për të sjellë në vëmendje nevojën e madhe që ka shoqëria jonë për implementimin dhe konsolidimin e këtyre të drejtave.

Dita Botërore e Drejtësisë Sociale festohet në 20 shkurt të çdo viti. Shënimi i kësaj dite, i shërben reflektimit mbi garantimin e mirëqenies për të gjithë përmes punësimit, mbrojtjes sociale, dialogut shoqëror dhe parimeve dhe të drejtave themelore në punë.

Kjo datë u caktua për herë të parë më 8 qershor 2008, si një përpjekje e Kombeve të Bashkuara drejt një angazhimi për drejtësi të vazhdueshme sociale dhe globalizim të drejtë.

Të Drejtat Shoqërore janë jo thjesht një domosdoshmëri ekzistenciale për qytetarët të cilët duhet t’i gëzojnë ato, por edhe një përbërës i padiskutueshëm i shtetit demokratik, si ai që vendi ynë po synon të ndërtojë prej 30 vjetësh.