24 Janar 2019

Avokati I Popullit I Shqetësuar Për Rritjen E Çmimit Të Shërbimit Dentar


AVOKATI I POPULLIT I SHQETËSUAR PËR RRITJEN E ÇMIMIT TË SHËRBIMIT DENTAR

Institucioni i Avokatit të Popullit ka mësuar me shqetësim rreth urdhërit të Asamblesë Kombëtare të Urdhërit të Stomatologëve lidhur me rritjen e çmimeve dysheme për disa nga shërbimet që ofrohen nga anëtarët e këtij Urdhëri.

Megjithëse Urdhëri i Stomatologëve funksionon si ent publik më vete dhe nuk financohet nga buxheti i shtetit, ai ka ndërmarrë nxjerrjen dhe miratimin e një akti administrativ të diskutueshëm nga pikëpamja administrative i cili mund të bjerë në kundërshtim me kompetencat që i njeh ligji nr. 127/2014 Për Urdhërin e Stomatologut në Republikën e Shqipërisë në të cilin ky ent nuk e ka tagrin e lëvizjes së çmimeve.

Për sa më sipër, Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur me iniciativë një hetim administrativ në lidhje me këtë çështje, për të shqyrtuar rolin e institucioneve shtetërore si Ministria e Shëndetësisë e Përkrahjes Sociale si dhe Ministria e Financave në lidhje me marrjen e këtij vendimi nga Urdhëri i Stomatologut.