18 Shkurt 2019

Avokati I Popullit Heton Mbi Përdorimin E Shpërpjesëtuar Të Gazit Lotësjellës Si Dhe Për Ushtrim Dhune Gjatë Arrestimit Të Pjesëmarrësve Në Tubimin E 16 Shkurtit


AVOKATI i POPULLIT HETON MBI PËRDORIMIN E SHPËRPJESËTUAR TË GAZIT LOTËSJELLËS SI DHE PËR USHTRIM DHUNE GJATË ARRESTIMIT TË PJESËMARRËSVE NË TUBIMIN E 16 SHKURTIT

Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar në mënyrë të kujdesshme tubimin e qytetarëve më datë 16.02.2019 si dhe sjelljen e autoriteteve tona ligjzbatuese gjatë dhe pas zhvillimit të këtij tubimi.

Një ekip i zgjeruar ekspertësh të Avokatit të Popullit ka qenë i angazhuar në ndjekjen nga afër të zhvillimeve duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme në përputhje me mandatin e sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për institucionin e Avokatit të Popullit.

Në përfundim të monitorimit, Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta e 16 shkurtit është zhvilluar përgjithësisht brenda standardeve normale të një tubimi paqësor.
Qytetarët kanë qenë të pranishëm të shumtë në numër dhe – përveç një numri të vogël e të veçuar individësh - në një shumicë dërrmuese qytetarët janë shfaqur të qetë dhe të paangazhuar në akte kërcënuese për rendin, qetësinë dhe sigurinë publike. 
Avokati i Popullit çmon se sado i parëndësishëm qoftë numri i qytetarëve që e injorojnë ligjin dhe përfshihen në veprime të dhunshme, cenimi i pronës publike si dhe veprimet në kundërshtim të sigurisë dhe rendit publik janë te papajtueshme me të drejtën kushtetuese të protestës dhe dëmtojne jo thjesht pasurinë publike por edhe të drejtën e qytetarëve të tjerë për të protestuar paqësisht.

Gjithsesi, roli i Avokatit të Popullit ka të bëjë me garantimin e sjelljes së autoriteteve shtetërore në respekt të ligjit dhe të drejtave civile të qytetarëve.
Nga verifikimet paraprake të ekipit monitorues është konstatuar se forcat e ruajtjes së rendit në përgjithësi e kanë menaxhuar me rregullsi protestën, pa u angazhuar në ushtrim dhune mbi qytetarët protestues.

Gjithsesi, nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në protestë, Avokati i popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës.

Avokati i Popullit, në datë 17/2/2019 u ka drejtuar kërkesa zyrtare autoriteteve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, për të dhënë sqarime mbi llojin, sasinë, përqendrimin, përbërjen dhe prejardhjen e këtyre lëndëve.

Gjithashtu Avokati i Popullit ka kërkuar të informohet zyrtarisht mbi protokollin zyrtar që zbatohet për përdorimin e këtyre lëndëve, llogaritjet sipas të cilave administrohet sasia e duhur për një numër të caktuar qytetarësh dhe të dhëna të tjera që do të përcaktojnë nëse sasia e përdorur e lëtyre lëndëve nga ana e forcave të rendit synonte vetëm neutralizimin e grupit të vogël të dhunuesve, apo intimidimin dhe privimin e një numri të madh protestuesish paqësorë nga ushtrimi i së drejtës së tyre kushtetuese për tubim.

Po ashtu, Avokati i Popullit ka ndjekur zyrtarisht edhe procedurat e ndalimit të një numri pjesëmarrësish në tubim nga ana e organeve ligjzbatuese gjatë orëve të mbrëmjes në vijim.
Përfaqësuesit e Institucionit kanë marrë informacione pranë autoriteteve drejtuese të Policisë së Shtetit dhe u janë vënë në dispozicion dokumentet shoqërues me anë të të cilave janë kryer këto arrestime.

Avokati i Popullit ka kërkuar dhe i është lejuar të zhvillojë takime me të 16 qytetarët e ndaluar nga Policia e Shtetit pas përfundimit të tubimit.

Të pyetur individualisht nga Avokati i Popullit, 15 prej qytetarëve nuk kanë shprehur pretendime për ushtrim dhune apo për shkelje të procedurave standarde të ndjekura nga Policia e Shtetit në ndalimin e tyre.
Në një rast, dhe posaçërisht qytetari F.H. ka raportuar një seri shkeljesh nga ana e Policisë së Shtetit gjatë operacionit për ndalimin e tij, pamje filmike të të cilit janë publikuar edhe në disa media.

Sipas deklarimeve të qytetarit por edhe pamjeve filmike të publikuara në media, një numër i madh forcash policore janë angazhuar për të kryer ndalimin në orët e mbrëmjes në banesën e tij. Sipas Avokatit të Popullit, ky raport kaq i shpërpjesëtuar angazhimi i një numri kaq të lartë anëtarësh të organeve ligjzbatuese për thjesht arrestimin e një qytetari të vetëm, mund të përbëjë një formë demonstrimi të panevojshëm represiviteti.

F.H. ka denoncuar edhe se hyrja e forcave të rendit në mënyrë të dhunshme pa kërkuar më parë as akses normal në mjediset familjare është në shkelje të procedurave standarde. Në mënyrë të veçantë ekspozimi i armëve në brendësi të banesës dhe në prani të fëmijëve të tij të mitur si dhe përdorimi i fjalëve fyese dhe degraduese ndaj tij përbëjnë shkelje të ligjit nga ana e efektivëve që kanë ekzekutuar urdhërin e arrestit. Sipas deklarimeve, bashkëshortja e qytetarit si dhe të dy fëmijët e mitur 12 dhe 5 vjeç kanë pësuar shok psikologjik nga ky manifestim i panevojshëm brutaliteti.

Si nga pyetja e shtetasit F.H. ashtu edhe nga pamjet filmike të bëra publike në media, rezulton se sjellja e efektivëve që kanë ekzekutuar mandatin e arrestit është në kundërshtim me procedurat e ndalimit dhe shoqërimit dhe jo vetem kaq, por gjithashtu rezulton se nga ana e tyre ka edhe pasur ushtrim dhune verbale e fizike.

Pasi është dërguar në ambientin e shoqërimit të DVP Tiranë, qytetari është vizituar nga mjeku i këtij institucioni i cili ka rekomanduar që të dërgohet në Spitalin Ushtarak të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore, sepse sipas atij goditjet në pjesën e kafkës prapa veshit ishin të rrezikshme për jetën. Pas rekomandimit të mjekut ai është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe ka bërë ekzaminimet përkatëse ndërmjet të cilave skaner, si dhe ka marrë serum. Mbasi ka përfunduar ekzaminimet është shoqëruar në DVP Tiranë ku Oficeri i Policisë Gjyqësore në pranë të avokatit të tij i ka komunikuar arrestimin në flagrancë.

Ndërkohë u konstatua se nga mjeku i institucionit të policisë ishte bërë shënimi në regjistrin e vizitave të personave të arrestuar/ndaluar duke pasqyruar pretendimet e tij për ushtrim dhune fizike, si dhe konstatimin e hematomave në pjesën e kokës prapa veshit të djathtë. 
Gjithashtu, sipas deklarimeve të avokatit të qytetarit F.H dhe familjarëve të tij, në banesën e tyre është kryer edhe një kontroll (i pasuar edhe nga një i dytë në orët e natës), gjë për të cilën nuk është paraqitur asnjë dokumentacion justifikues.
Nga ana e Avokatit të Popullit do të vazhdojë kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore administrative duke pyetur efektivët që kanë bërë shoqërimin e shtetasit F.H., si dhe të dëshmitarëve të mundshëm që kanë dijeni rreth pretendimeve të tij, si dhe të dokumentacionit të administruar lidhur me atë dhe personat e tjerë nga organet e Policisë dhe Prokurorisë Tiranë.

Përtej dhunës verbale dhe fizike të evidentuar në pamjet filmike, raportet mjekësore dhe kontaktin fizik vizual me shtetasin F.H., verifikimi i pretendimeve për shkelje të procedurave në ndalimin e këtij shtetasi si dhe i kryerjes së kontrolleve në kundërshtim me procedurën ligjore të parashikuar nga ligji, cenon rëndë të drejtat e tij kushtetuese.