21 Dhjetor 2018

Avokati I Popullit Dhe Osbe Organizojnë Konferencën E Përbashkët


Avokati i Popullit dhe OSBE organizojnë konferencën e përbashkët

 

“Përhapja e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në shoqëri është një sfidë e cila në shumë mënyra i prek të gjitha institucionet e shtetit. Nëse flasim për këtë fenomen në realitetin e burgjeve, atëherë këtu çështja bëhet më delikate, pasi përpjekjet për parandalimin apo çrrënjosjen e këtyre dukurive, mund të bien ndesh me çështje të cenimit të të drejtave të njeriut”, tha sot Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, në hapje të konferencës “Respektimi i të drejtave të njeriut në kuadër të parandalimit dhe luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm në institucionet e privimit të lirisë dhe shërbimin e provës”.

Konferenca u organizua si një bashkëpunim i Prezencës së OSBE-së dhe Avokatit të Popullit, me pjesëmarrjen edhe të Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Avokatja e Popullit tha se “Rreziku nga përhapja e ideve që për bazë kanë përdorimin e dhunës në emër të ideologjive të ndryshme, është i mundshëm dhe mund të ndodhë në çdo burg, sepse privimi i lirive dhe të drejtave në këto institucione është mjaft konkret, informacioni është i kufizuar dhe për rrjedhojë kontakti e përthithja e ideve radikale, mund të bëhet më e prekshme në raport me fusha të tjera të shoqërisë në liri”.

Znj.Ballanca theksoi se “Përballja me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm kërkon një reagim të sofistikuar dhe gjithëpërfshirës. Kjo duhet të përfshijë veprime efikase të drejtësisë penale, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe sundimit të shtetit të së drejtës kundër atyre që nxisin të tjerët për akte të dhunshme, si edhe përpjekje shumëplanëshe për trajtimin e kushteve që favorizojnë radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm”.