18 Dhjetor 2024

Komiteti Shqiptar I Helsinkit Aktivitet Mbi Digjitalizimin E Administratës Publike Dhe Mbrojtjen E Të Dhënave Personale Në Ballkanin Perëndimor


Komiteti Shqiptar i Helsinkit aktivitet mbi digjitalizimin e administratës publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale në Ballkanin Perëndimor

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, mori pjesë në workshop-in e organizuar në Ohër, Maqedonia e Veriut, ku u diskutua mbi digjitalizimin e administratës publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale në Ballkanin Perëndimor. Ky aktivitet, organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe partnerët e tij rajonalë, në bashkëpunim me Western Balkans Fund dhe Bashkimin Europian, ka për qëllim hartimin e një rezolute me rekomandime konkrete për forcimin e kuadrit ligjor dhe praktikave që mbrojnë të drejtat e qytetarëve në epokën digjitale.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, znj. Ballanca theksoi:

“Digjitalizimi i shërbimeve publike në Shqipëri përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të përmirësuar aksesin dhe transparencën, por ky proces duhet të shoqërohet me një përkushtim të fortë për të garantuar që asnjë qytetar të mos mbetet pas. Teknologjia duhet të shërbejë si një urë që lidh të gjithë qytetarët me të drejtat e tyre, jo si një barrierë që i përjashton ata.

Në raportin tonë të fundit, kemi identifikuar disa sfida kritike që lidhen me aksesin e barabartë, mosdiskriminimin, privatësinë dhe llogaridhënien. Për kategori të ndjeshme, si të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe grupet vulnerabël, digjitalizimi shpesh krijon pengesa të reja që cenojnë të drejtën e tyre për qasje të barabartë në shërbimet publike. Prandaj, kërkohet një kuadër ligjor i harmonizuar dhe zgjidhje që marrin parasysh diversitetin dhe nevojat e këtyre kategorive. Vetëm përmes këtyre masave mund të sigurojmë që platforma si e-Albania dhe shërbime të tjera digjitale të përmbushin misionin e tyre pa diskriminim.”

Workshop-i mblodhi një panel të gjerë ekspertësh nga fusha e të drejtave të njeriut dhe teknologjisë së informacionit, duke synuar që përmes këtij bashkëpunimi rajonal të formulojë zgjidhje praktike dhe rekomandime për vendet e Ballkanit Perëndimor. Rezoluta përfundimtare, e cila do të dalë nga ky proces, do të diskutohet në kuvendet kombëtare të vendeve pjesëmarrëse, duke përfaqësuar një hap të rëndësishëm drejt integrimit europian dhe përmirësimit të qasjes ndaj shërbimeve publike digjitale.