17 Shtator 2026

"Punuan Një Jetë, Sot S'Blejnë Dot As Ilaçet", Avokati I Popullit Kërkon Mbrojtje Për Të Moshuarit


"Punuan një jetë, sot s'blejnë dot as ilaçet", Avokati i Popullit kërkon mbrojtje për të moshuarit

Avokati i Popullit, Endrit Shabani ndodhet sot në Institutin Gjerman për të Drejtat e Njeriut në Berlin. 

Takimi mbledh institucionet për të drejtat e njeriut për të koordinuar qëndrimin e Europës për instrumentin e parë ligjërisht të detyrueshëm për të drejtat e të moshuarve.

Për Shqipërinë çështja nuk është teorike. Emigrimi ka lënë mijëra prindër dhe gjyshër të vetëm në fshatra e qytete, pa kujdes të përditshëm dhe shpesh pa akses në shërbime shëndetësore. Pensionet e ulëta, mungesa e shërbimeve të kujdesit afatgjatë dhe izolimi social janë ankesat që Avokati i Popullit trajton çdo ditë.

"Të moshuarit tanë punuan një jetë për këtë shtet. Sot shumë prej tyre janë vetëm, me pension që nuk mbulon as ilaçet. Ne nuk jemi në Berlin për të dëgjuar, por për t'u siguruar që zëri i tyre të hyjë në tekstin e traktatit,"-deklaroi Shabani.

Në përfundim të takimit, institucionet europiane do të hartojnë një dokument të përbashkët udhëzues për angazhimin në procesin e OKB-së dhe për mbrojtjen e të drejtave të të moshuarve në nivel kombëtar. Avokati i Popullit do t'i përcjellë Kuvendit dhe Qeverisë rekomandimet konkrete që dalin nga ky proces dhe do të nisë një monitorim të posaçëm të shërbimeve për të moshuarit në Shqipëri.