20 Nëntor 2024

Zhvillohet Seanca Dëgjimore “Miqtë E Fëmijëve”


Zhvillohet seanca dëgjimore “Miqtë e Fëmijëve”

Sot, në kuadër të përvjetorit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, Avokatja e Popullit mori pjesë në seancën dëgjimore të organizuar nga Grupi i Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”.

Ky aktivitet shënoi një moment të rëndësishëm për të reflektuar mbi përmbushjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, në linjë me detyrimet që rrjedhin nga Konventa dhe rekomandimet më të fundit të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës.

Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit theksoi domosdoshmërinë e një përqasjeje të koordinuar mes institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe komuniteteve për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve.

Znj. Ballanca e vuri theksin mbi rëndësinë e krijimit të një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë të ketë akses të barabartë në arsim, mbrojtje dhe shanse për një të ardhme të sigurt.

Duke rikonfirmuar angazhimin e institucionit të saj, Avokatja e Popullit nënvizoi rolin e rëndësishëm të monitorimit dhe ndërhyrjes në rastet kur të drejtat e fëmijëve shkelen ose rrezikohen.