Dita Ndërkombëtare E Personave Me Aftësi Të Kufizuara, Avokatit Të Popullit: Dinjitet Dhe Mundësi Të Barabarta
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh angazhimin e tij për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e kësaj kategorie qytetarësh, duke vënë në qendër dinjitetin, mundësitë e barabarta dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore.
Personat me aftësi të kufizuara përballen ende me sfida të mëdha, si kufizimi i aksesit në punësim, pengesat infrastrukturore dhe mungesa e përfshirjes së tyre në vendimmarrje. Ndaj, Avokati i Popullit:
• Kërkon nga strukturat shtetërore dhe aktorët përgjegjës të trajtojnë me prioritet krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për një jetë të pavarur dhe të denjë për personat me aftësi të kufizuara.
• Bën thirrje për përfshirje aktive të tyre në proceset vendimmarrëse, sidomos ato që lidhen me politikat dhe programet që prekin jetën e tyre.
• Kërkon promovimin e punësimit të personave me aftësi të kufizuara dhe krijimin e kushteve të përshtatshme në vendin e punës, përmes akomodimit të arsyeshëm dhe eliminimit të barrierave që pengojnë barazinë.
Përtej angazhimit institucional, rritja e ndërgjegjësimit shoqëror mbetet thelbësore. Familjet, komuniteti dhe gjithë shoqëria duhet të kultivojnë respektin për të drejtat dhe dinjitetin e personave me aftësi të kufizuara, duke ndihmuar në krijimin e një mjedisi që nuk njeh barriera për pjesëmarrjen e barabartë.
Pa akses të barabartë, nuk ka mundësi të barabarta. Ndaj, Avokati i Popullit thekson se një shoqëri gjithëpërfshirëse është ajo ku të gjithë qytetarët, pa dallim, kanë të drejtën për të jetuar me dinjitet dhe për të kontribuar në mënyrë të barabartë.
Le të jetë kjo ditë një kujtesë për të gjithë ne që barazia nuk është vetëm një parim, por një e drejtë themelore!