12 Mars 2019

Zhvillohet Në Tiranë Mbledhja E Bordit Ekzekutiv Të Shoqatës Së Ombudsmanëve Të Mesdheut


ZHVILLOHET NË TIRANË MBLEDHJA E BORDIT EKZEKUTIV TË SHOQATËS SË OMBUDSMANËVE TË MESDHEUT

U zhvillua në Tiranë nën kujdesin e Institucionit të Avokatit të Popullit të Shqipërisë mbledhja e bordit ekzekutiv të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, shoqatë kjo e cila është nën presidencën e Avokates së Popullit të Shqipërisë.

Pasi u uroi mirëseardhjen miqve, Avokatja e Popullit të Shqipërisë mbajti një fjalë të shkurtër përshëndetëse në të cilën ndër të tjera u shpreh se puna e madhe e kryer nga institucionet e Ombudsmanëve në pellgun e Mesdheut përballet me sfida të tjera më të vështira në të ardhmen.

“E drejta e qytetarëve të rajonit tonë për një jetë dinjitoze, respektimi i të drejtave të qytetarëve nga autoritetet shtetërore, çrrënjosja e varfërisë dhe papunësisë, e drejta për edukim, shërbim shëndetësor, pronë, liria e shprehjes, migracioni i lirë, etj, do të duhet të adresohen në të ardhmen nga qasje që i tejkalojnë limitet tona thjesht lokale apo kombëtare”, u shpreh Avokatja Ballanca.

Avokatja e Popullit të Shqipërisë shprehu kënaqësinë që radha e presidencës së saj në krye të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut do t’i kalojë kolegut Ombudsman të shtetit grek, z.Andreas Pottakis.