26 Tetor 2022

Lançohet Projekti I Binjakëzimit “Mbështetje Për Avokatin E Popullit Dhe Promovimin E Të Drejtave Të Njeriut Në Shqipëri”


LANÇOHET PROJEKTI I BINJAKËZIMIT “MBËSHTETJE PËR AVOKATIN E POPULLIT DHE PROMOVIMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT NË SHQIPËRI”

Më datë 24 Tetor 2022, institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri zhvilloi takimin lançues të projektit të binjakëzimit, i financuar në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para anëtarësimit në BE “Mbështetje për Zyrën e Avokatit të Popullit dhe promovimi i të drejtave të njeriut në Shqipëri”.

Në këtë Projekt Binjakëzimi, Avokati i Popullit po bashkëpunon me Bordin Austriak të Avokatit të Popullit dhe mbështetet nga Instituti për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut Ludwig Boltzmann. 
Ky projekt synon përafrimin e kuadrit ligjor në fuqi për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, më konkretisht ligjin nr.8454 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, në përputhje me atë të acquis së BE-së. 
Takimi u hap me fjalën e znj. Erinda Ballanca, Avokate e Populli dhe vijoi me z. Christian Steiner, Ambasador i Republikës së Austrisë në Shqipëri, z. Hubert Perr, Kreu i Zyrës së Bashkëpunimit, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, znj. Jutta Gutzkow, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, znj. Patricia Mussi-Mailer, Drejtor Administrativ i Institutit për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut Ludwig Boltzmann dhe me fjalën e z. Peter Kastner, Drejtues i Projektit i Shtetit Anëtar. 

Gjatë takimit u theksua rëndësia e projektit të binjakëzimit në kuadër të hapjes së negociatave të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, u prezantuan disa prej rezultatet e deritanishme si nisja e punës për përafrimin e legjislacionit, duke rishikuar ligjin në fuqi, rritja e kapaciteteve të stafit të Avokatit të Popullit, si dhe përmirësimi i sistemit të menaxhimit të çështjes. 

Znj. Ballanca në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se “Problemet që ka ende Shqipëria në fushën e të drejtave të njeriut janë të mëdha, por nuk e imagjinoj dot distancën që do të kishim me pikën ku jemi sot, po të mos ishte aty Europa për ne, me intensitetin e rrezatimit të saj demokratik dhe humanist. Ky projekt që po lançojmë sot është një dëshmi e kujdesit që Europa ka për një institucion të të drejtave të njeriut në një vend europian si Shqipëria. Por për ne, ky është një ekzagjerim emocionues i asaj që Evropa mund të bëjë për ne, pasi ajo ka bërë tashmë kaq shumë thjesht duke ekzistuar”.
Z. Perr, Kreu i Zyrës së Bashkëpunimit, Delegacioni i BE-së në Shqipëri theksoi se Shqipëria është Evropë, ku edhe nëpërmjet projektit të binjakëzimit si një mjet për të ndarë eskpertizën, duke bërë që të dy partnerët  Avokati i Popullit Shqipëri dhe Austri të bashkepunojnë dhe të sjellin vlera dhe standarde të Bashkimit Evropian. Për më tepër, ai nënvizoi se projekti është i rëndësishëm parë në kontekstin e zgjerimit, duke qenë se Shqipëria ka hapur negociatat, si dhe faktit se të drejtat e njeriut sipas kriterit të Kopengahenit janë thelbi i kësaj pune. 
Z. Steiner, theksoi rolin e rëndësishëm që Austria ka patur në mbështetjen ofruar vendit tonë nëpërmjet projekteve të ndryshme si asistenca e ofruar nga Instituti për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut Ludwig Boltzmann në disa projekte në Shqipëri, projekti që po implementohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) në fushën e shtetit të së drejtës, duke kontribuar kështu edhe më tepër në procesin e integrimit të Shqipërisë. 

Znj. Gützkow, shprehu angazhimin dhe vullnetin e saj personal për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Zyrës së Këshillit të Evropës dhe Avokatit të Popullit në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut duke krijuar një kulturë të re, por edhe në fusha të tjera bashkëpunimi. 

Znj. Mussi-Mailer, vlerësoi bashkëpunimin e mirë ndërmjet partnerëve në zbatimin e këtij projekti, dhe teksoi rolin e tij në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe u shpreh se pavarësisht faktit se institucioni i Avokatit të Popullit perceptohet gjerësisht si kontrolluesi më i besueshëm dhe më efektiv i ekzekutivit, bashkëpunimi me parlamentin, burimet njerëzore, teknike dhe financiare duhet të forcohen më tej. Ajo nënvizoi angazhimin makismal të institutit në mbështetjen që do t’i ofrohet Avokatit të Popullit dhe vendit tonë nëpërmjet projektit të binjakëzimit në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. 

Z. Kastner, theksoi hapat e parë të suksesshëm duke u fokusuar në zbatimin e tri komponentëve të projektit dhe u shpreh besimplotë se projekti do të vijojë të implementohet në mënyrë të frytshme dhe konstruktive. Si rezultat të rëndësishëm deri tani, ai përmendi mbledhjen e informacioneve mbi kuadrin ligjor në fuqi, mangësitë aktuale në kuadrin legjislativ dhe sfidat kryesore lidhur me mandatin dhe funksionin e Avokatit të Popullit, me qëllim përafrimin e legjislacionit me acquis e BE-së. 


Më shumë informacion rreth Projektit të Binjakëzimit gjeni në faqen e Avokatit të Popullit në lidhjen: https://www.avokatipopullit.gov.al/sq/categories/activities/projekte/article