29 Qershor 2021

Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Ekspozitën Dedikuar Luftës Kundër Trafikimit Të Qenieve Njerëzore


AVOKATJA E POPULLIT MERR PJESË NË EKSPOZITËN DEDIKUAR LUFTËS KUNDËR TRAFIKIMIT TË QENIEVE NJERËZORE

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori pjesë në prezantimin e një ekspozite në kuadrin e projektit "Care and Dare". Projekti “Care and Dare” implementuar nga Qendra “Tirana Art” dhe i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, synon edukimin dhe ndërgjegjësimin e te rinjve mbi parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. 
“Care and Dare” pas një rrugëtimi dy vjeçar në 12 qytete të Shqipërisë dhe në zona të ndryshme rurale, u përmbyll ditën e djeshme më datë 28 Qershor 2021 me prezantimin e rreth 400 krijimeve artistike dhe mesazheve sensibilizuese kundër fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore nga nxënës të moshave, qyteteve dhe komuniteteve të ndryshme. 
Në mesazhin e saj drejtuar pjesëmarrësve, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca u shpreh:
"Ju falënderoj për ftesën në këtë ekspozite me këtë titull kaq kuptimplotë “Kujdesu e guxo” dedikuar trafikimit të qenieve njerëzore. 
Trafikimi i qenieve njerëzore, i përsëritur si term kaq e kaq herë në lajme televizive, në fjalime uorkshopesh etj, duket sikur shndërrohet në një nga ato termat klishe, që kur i dëgjon nuk të thonë asgjë. Por është mirë që kur ndodh kjo dukuri me një term, të ndalim një moment e të mendojmë mbi domethënien e tij e mundësisht edhe ta zbërthejmë e vizualizojmë atë. 
Çfarë do të thotë trafikim i qenieve njerëzore? Kjo ekspozitë në këtë aktivitet të sotëm, është një iniciativë e mirë sepse shërben pikërisht për vizualizimin e një koncepti që përndryshe do të humbiste shumë nga dramaciteti i vërtetë i tij, nëse do të mbetej thjesht një formulë e raportuar me shpejtësi në kronikat e lajmeve a në një përmbledhje burokratike.
Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është një ngjarje që i takon një realiteti që nuk ka lidhje me ne. Trafikimi i qenieve njerëzore ndodh këtu. Qeniet njerëzore që i nënshtrohen këtij trafikimi janë njerëz si ne, njerëz që mund t’i kemi pasur te tavolia përbri duke pirë kafe një ditë më parë. Qenia njerëzore jemi vetë ne e kur përfytyrojmë një njeri të trafikuar, është mirë ta mendojmë si dikë krejtësisht të ngjashëm me vetveten tonë, dikush që ka nevojë të marrë frymë, të ushqehet, të shëtisë, të punojë, të mendojë, të ketë liri e dinjitet në po të njëjtën masë e me po të njëjtin intensitet si ne.
Të trafikosh një qenie njerëzore do të thotë t’ia ndalosh kësaj qenieje të gjitha këto qëllime të sajat, me pak fjalë të synosh ta zhveshësh atë nga njerëzorja e ta shndërrosh në një mall i cili kontrabandohet pa merakun se malli do vuajë ndonjë problem nga kjo kontrabandë.
Shoqëria e të gjithë ne anëtarët e saj, duhet ta dënojmë trafikimin e qenieve njerëzore e për ta dënuar atë në mënyrë të vërtetë, ne duhet ta kuptojmë atë.
Të kuptosh e të njohësh nga këndi i duhur një dukuri të papëlqyeshme është hapi i parë drejt mposhtjes së kësaj dukurie. 
Ju përgëzoj për iniciativën tuaj në çeljen e kësaj ekspozite, sepse jam e bindur se përveçse disa prej nesh do t’i ndihmojë të kuptojnë më shumë, të gjithëve do të na ndihmojë të fitojmë mbi trafikimin e qenieve njerëzore".