24 Maj 2023

Avokati I Popullit Merr Pjesë Në Takimin Dhe Asamblenë E Përgjithshme Të Shoqatës Së Ombudsmanëve Të Mesdheut


AVOKATI I POPULLIT MERR PJESË NË TAKIMIN DHE ASAMBLENË E PËRGJITHSHME TË SHOQATËS SË OMBUDSMANËVE TË MESDHEUT

Institucioni i Avokatit të Popullit të Shqipërisë, i përfaqësuar nga drejtuesja e tij, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, po merr pjesë në takimin e 12-të dhe Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM) i cili po mbahet në Prishtinë të Republikës së Kosovës.

Kjo veprimtari e nivelit të lartë, bën bashkë përfaqësues të institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut nga rajoni Mesdheut dhe Avokati i Popullit të Shqipërisë si pjesëtar I rëndësishëm I këtij organizmi ku aktualisht mban edhe pozitën e zv.presidentit të tij, është një nga pjesëmarrësit më aktivë e të zëshëm në aktivitetet e tij.

Aktivitetet zhvillohen përgjatë tre ditëve dhe pas mbledhjes së Anëtarëve të Bordit Ekzekutiv ditën e djeshme ku edhe Shqipëria bën pjesë, sot ishte dita e parë e Asamblesë së Përgjithshme të AOM, një takim I cili u zhvillua nën temën: “Integriteti dhe pavarësia e institucioneve të Ombudsmanit: Qëndrueshmëri përballë sfidave”.

Avokatja e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca moderoi një prej sesioneve plenare të Asamblesë, atë me temë: “Pavarësia si një element themelor i institucioni efektiv të Ombudsmanit”.

Në ndërhyrjen e saj në fillim të sesionit plenar, Avokatja Ballanca u shpreh:

“Institucionet e Ombudsmanëve ballafaqohen me presione të jashtme dhe dinamika të brendshme që mund të kompromentojnë autonominë e tyre. Ndërhyrjet politike, burimet e pamjaftueshme, juridiksioni i kufizuar dhe sulmet ndaj besueshmërisë së tyre, janë vetëm disa prej sfidave me të cilat Ombudsmanëve u duhet të përballen për të ruajtur pavarësinë e tyre”.