Avokati I Popullit Shënon Ditën Botërore Të Shëndetit
Në Ditën Botërore të Shëndetit, Avokati i Popullit në Shqipëri ngre zërin për rritjen e standardeve të shërbimit shëndetësor në vendin tonë, për t’u garantuar qytetarëve një prej të drejtave më thelbësore të njeriut e cila ka të bëjë me atë të kujdesit shëndetësor.
E drejta për një jetë të shëndetshme e për akses në shërbime cilësore për kurim e parandalim të sëmundjeve, është një nga objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së.
Shqipëria e cila sot përballet me vështirësi në mbajtjen e burimeve njerëzore të kualifikuara për shkak të hemorragjisë së emigracionit, lypset të zhvillojë politika më efektive në sigurimin e kësaj të drejte për qytetarët e saj të cilët sikundër rezulton nga një numër ankesash drejtuar në vite Avokatit të Popullit, në shumë raste përballen me shërbim shëndetësor të paaksesueshëm apo të pamjaftueshëm.
Avokati i Popullit i nxit politikëbërësit të rrisin vëmendjen e tyre për shëndetësinë në garantim të të drejtës së qytetarëve për jetë të shëndetshme.