3 Dhjetor 2022

Shënohet Dita Ndërkombëtare E Personave Me Aftësi Të Kufizuar


SHËNOHET DITA NDËRKOMBËTARE E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUAR

3 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar, synon një ndërgjegjësim të të gjithë shoqërisë, në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, me qëllim integrimin në jetën politike, sociale, ekonomike e kulturore.

Avokati i Popullit, në përmbushje të detyrave kushtetuese, si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe nxitës i standarteve më të larta të këtyre të drejtave, sjell në vëmendjen e institucioneve shtetërore, qëndrore dhe vendore, angazhimin më të madh dhe prioritizimin e problematikave me të cilat ndeshen personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë.

Mungesa e aksesit në ambjente publike dhe private, në marrjen e infomacionit, aksesit në drejtësi, moszbatimi i dispozitave ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, moszbatimi i rimbursimit të biletës në transportin urban, janë disa nga problematikat që ka ndeshur kjo kategori.

Institucioni i Avokatit të Popullit, u ka kërkuar vazhdimisht të gjithë strukturave shtetërore të angazhohen maksimalisht e të kenë prioritet çështjen e personave me aftësi të kufizuara, pasi ato mbeten ndër shtresat më të margjinalizuara në shoqërinë shqiptare.

Nxitja e pjesëmarrjes aktive të vetë personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësuesve të tyre, në të gjithë proceset e hartimit dhe zbatimit të legjislacionit dhe të politikave sociale bashkëkohore, duhet t’i shërbejë përgatitjes së personave me aftësi të kufizuara për një jetesë të pavarur dhe me dinjitet.

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara janë jo vetëm të drejta natyrore të tyre, por respektimi i tyre në praktikë është një tregues emancipimi dhe zhvillimi i shoqërisë shqiptare.

Avokati i Popullit do të vijojë të punojë për të promovuar respektimin e vazhdueshëm të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, promovimin e të drejtave të tyre si pjesë përbërëse e shoqërisë shqiptare, për të nxitur garantimin e gjithpërfshirjes, mirëqenies dhe përmirësimit të cilësisë së tyre të jetës.