8 Nëntor 2022

Avokati I Popullit Prezanton Nevojat Buxhetore Në Komisionin E Ligjeve Dhe Të Drejtave Të Njeriut


AVOKATI I POPULLIT PREZANTON NEVOJAT BUXHETORE NË KOMISIONIN E LIGJEVE DHE TË DREJTAVE TË NJERIUT

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca paraqiti në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut nevojat dhe vërejtjet e institucionit mbi buxhetin e planifikuar për vitin në vijim.

Avokatja e Popullit u përqendrua edhe këtë vit për të disatën herë, te nevoja për një rritje të buxhetit për shtimin e kapaciteteve njerëzore të institucionit, si kusht për përmbushjen e mandatit kushtetues të Avokatit të Popullit dhe konstatim i të gjithë progres-raporteve të Komisionit Europian.

Gjithashtu, Avokatja e Popullit theksoi nevojën e parashikimit të shtesave në buxhet, për të mbështetur institucionin në kryerjen e hetimeve të veçanta për çështje që kanë impakt të gjerë shoqëror pasi me strukturën aktuale, pjesa dërrmuese e buxhetit shkon vetëm për pagat e punonjësve të institucionit duke mos lënë hapësirë për kryerjen e detyrave të tjera.

Në kushtet e reja të hyrjes së Shqipërisë në një marrdhënie të avancuar me Bashkimin Europian, u vu në dukje fakti se edhe cilësia e raportimit dhe punës së këtij institucioni kërkohet të hyjë në një stad të ri, e kjo kërkon përmirësimin e kapaciteteve në personel e reflektuar kjo edhe në buxhetet përkatëse.