12 Shtator 2022

Avokati I Popullit Uron Nxënësit E Mësuesit Në Ditën E Parë Të Shkollës


AVOKATI I POPULLIT URON NXËNËSIT E MËSUESIT NË DITËN E PARË TË SHKOLLËS

Institucioni i Avokatit të Popullit beson se arsimi dhe dija janë rruga e duhur drejt përparimit shoqëror dhe zhvillimit.

Duke u uruar suksese në ditën e parë të vitit shkollor 2022-2023 të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve në sistemin arsimor në vend, e veçanërisht atyre që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, Avokati i Popullit gjen rastin të kërkojë më shumë vëmendje për arsimin në Shqipëri.

Rritja e cilësisë së mësimdhënies, përmirësimi i kushteve, pagave e ngarkesës së punës për mësuesit të cilat ndihmojnë në përcjelljen e dijes në mënyrën e duhur tek gjenerata e përfituesve të arsimit meritojnë të shihen progresivisht e pozitivisht nga viti në vit prej çdo qeverie.

Arsimi është një e mirë publike e cila duhet t’u ofrohet të gjithëve jo thjesht nē formë aksesi pasiv, por aktivisht, duke luftuar që dija ndaj së cilës ekspozohen të gjithë, të absorbohet në sasinë e nevojshme edhe nga ata që për rrethana të ndryshme nuk përfitojnë sa duhet prej saj. Arsimimi i mirë i çdo nxënësi të së sotmes është “investim” që shoqërisë i shpërblehet në të ardhmen.