11 Maj 2022

Ambasadorja Franceze Viziton Institucionin E Avokatit Të Popullit


AMBASADORJA FRANCEZE VIZITON INSTITUCIONIN E AVOKATIT TË POPULLIT

Ambasadorja e Republikës së Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq vizitoi sot institucionin e Avokatit të Popullit në Shqipëri, ku u prit nga titullarja e institucionit, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca.

Ambasadorja franceze u interesua për punën e institucionit në raport me liritë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri, si dhe fokusin më të shpeshtë të aktiviteteve të këtij institucioni që nga vizita e saj e fundit.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca i bëri diplomates së huaj një prezantim të veprimtarisë përgjatë muajve të fundit, si dhe e njohu me ndryshimet e stafit në institucion.

Të dy bashkëbisedueset shprehën pikëpamjen e tyre mbi rëndësinë e përmirësimit të mbrojtjes dhe rritjes së standardit të të drejtave të njeriut në vendin tonë, si një nga elementët më të qartë të përafrimit të vendit tonë me familjen europiane.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucionit të Avokatit të Popullit dhe Ambasadës Franceze në Shqipëri, ku përveç projekteve ekzistuese, u diskutua edhe për projekte të reja e më konkretisht për rifillimin e kurseve të gjuhës frënge për nëpunësit e institucionit të Avokatit të Popullit, përmes Aleancës Franceze në Tiranë.

Ambasadorja Barsacq i uroi sukses zonjës Ballanca në rikandidimin për një mandat të dytë në detyrën e Avokatit të Popullit dhe siguroi për vazhdimin e bashkëpunimit.