Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Konferencën E Rrjetit Europian Të Ombudsmanëve
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori pjesë në konferencën dy-ditore të organizuar nga rrjeti Europian i Ombudsmanëve (ENO) në data 27- 28 prill 2022 me temë “Roli i Ombudsmanëve në kohë krize”.
Lufta në Ukrainë ka detyruar miliona njerëz të përfundojnë si refugjatë që kërkojnë strehë të sigurt në të gjithë BE-në. Si përgjigje, BE-ja aktivizoi për herë të parë Direktivën e Mbrojtjes së Përkohshme për të ofruar ndihmë të shpejtë për njerëzit që ikin nga konflikti në Ukrainë. Direktiva lejon aksesin në strehim, punësim, kujdes shëndetësor dhe arsim në Shtetet anëtare.
Ombudsmanët janë në një pozicion kyç për të monitoruar sesi qeveritë kombëtare po i trajtojnë çështjet që lidhen me refugjatët. Në këtë konferencë, të organizuar nga Zyrat e Ombudsmanit Europian Emily O'Reilly dhe Ombudsmanes Franceze Claire Hédon, folësit në sesionin e parë diskutuan se si politikat kombëtare po funksionojnë në terren, ku mund të bëhen përmirësime dhe cilat masa mund të përsëriten diku tjetër.
Pandemia ka përshpejtuar shumë digjitalizimin e shumë aspekteve të jetës së njerëzve, duke sjellë shumë avantazhe, por edhe sfida. Sesioni i dytë trajtoi masën në të cilën administratat publike kanë marrë parasysh nevojat dhe të drejtat e qytetarëve gjatë këtij procesi digjitalizimi.
Rrjeti Europian i Ombudsmanëve (ENO) u krijua në vitin 1996 dhe lidh Ombudsmanin Europian, ombudsmenët kombëtarë dhe rajonalë si dhe Komitetin për Peticione të Parlamentit Europian. Rrjeti koordinohet nga Ombudsmani Europian.