3 Maj 2022

Avokati I Popullit Kërkon Përmirësim Të Lirisë Së Medias Në Shqipëri


AVOKATI I POPULLIT KËRKON PËRMIRËSIM TË LIRISË SË MEDIAS NË SHQIPËRI

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Avokati i Popullit në Shqipëri u bashkohet thirrjeve për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e një shtypi profesional, të pandikuar dhe cilësor në vendin tonë.

Punonjësit e industrisë së medias vazhdojnë të jenë sipas raporteve një shënjestër e lehtë e presioneve, intimidimeve, kërcënimeve, censurës dhe së fundi edhe e auto-censurës. Raporti vjetor i Reporters Sans Frontieres vlerëson një përkeqësim në lirinë e shtypit shqiptar për vitin e fundit.

Avokati i Popullit solidarizohet me gazetarët e gazetarët dhe i nxit ata të forcojnë organizimet e tyre profesionale në mbrojtje të standardeve të punës dhe të drejtave të tyre.

Gjithashtu Avokati i Popullit nxit autoritetet shtetërore që – pa u bërë ndërhyrës dhe përfitues prej aksesit të pamerituar në media - ta ndihmojnë shoqërinë shqiptare të përfitojë raportim cilësor, të paanshëm dhe profesional, pasi kjo është në dobi të shëndetit të demokracisë sonë.