6 Prill 2022

Dhuna Ndaj Grave Në Politikë, Prezantohet Studimi


DHUNA NDAJ GRAVE NË POLITIKË, PREZANTOHET STUDIMI

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori pjesë sot në prezantimin e gjetjeve të studimit “Dhuna ndaj grave në politikë”.

Studimi është kryer nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri dhe është realizuar në partneritet me Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund Dhunës ndaj Grave në Shqipëri”, financuar nga Qeveria e Suedisë.

Studimi shqyrton dhunën ndaj grave në politikë dhe paraqet një sërë sugjerimesh për aktorë të ndryshëm se çfarë duhet të bëhet për të trajtuar këtë fenomen.

Raporti thekson nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor, i cili duhet të mundësojë parandalimin dhe mbrojtjen efektive të grave dhe vajzave nga të gjitha format e dhunës me bazë gjinore. Partitë politike dhe drejtuesit e tyre, duhet të punojnë për demokratizimin e jetës brenda partive, për të krijuar një mjedis të shëndetshëm, larg çdo forme dhune, që mundëson përparimin e grave në politikë dhe vendim-marrje.

Organet shtetërore dhe jo-shtetërore inkurajohen të jenë pro-aktivë në denoncimin e të gjitha rasteve të dhunës ndaj grave në politikë. Organizatat e Shoqërisë Civile dhe media luajnë një rol kyç në advokim për një pjesëmarrje të qenësishme të grave në politikë dhe ndërgjegjësim kundër stereotipave gjinore.